Lidhje

Panetta: Forca, një alternativë kundër Iranit


Sekretari amerikan i mbrojtjes viziton Izraelin

Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Panetta ndodhet në Izrael ku ai mohoi njoftimet se ndodhet atje për bisedime për sulme të mundshme parandaluese ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Ai u takua me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Ehud Barak në Tel Aviv sot si pjesë e një turneu në Lindjen e Mesme gjatë të cilit ai vizitoi edhe Tunizinë dhe Egjiptin. Ndalesa e tij e fundit do të jetë Jordania nesër.

Në vizitën në selinë e mbrojtjes së Izraelit sot në mëngjes, zoti Panetta tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë lidhje të ngushta miqësie dhe sigurie.

“Si ministra mbrojtjeje ne jemi takuar më shpesh bashkë sesa me çdo ministër tjetër mbrojtjeje dhe kjo falë miqësisë sonë të ngushtë por çka është më e rëndësishme, sepse vendet tona kanë një lidhje të ngushtë miqësie dhe sigurie, duke punuar së bashku që të garantojmë mbrojtjen më efektive dhe që të mund të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin tonë”.

Zoti Barak u përgjigj duke thënë se lidhjet mes dy vendeve janë më të forta se kurrë.

Dhuna në Siri dhe një sulm i mundshëm ushtarak u Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit pritet të jenë pjesë e programit gjatë ditës së sotme, në bisedimet me Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Shimon Peres.

Duke folur në krah të zotit Barak, zoti Panetta tha:

“Është përgjegjësia ime si sekretar mbrojtjeje që t’i paraqes presidentit një rreze të gjerë alternativash, përfshirë ato ushtarake nëse diplomacia dështon”.

Zoti Barak u shpreh me dyshim se sanksionet dhe diplomacia do ta bëjnë Iranin që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore.

“Të them të vërtetën, ne në Izrael mendojmë se mundësia që ajatollahët të ulen në tryezë dhe të thonë se ka ardhur koha t’i jepet fund programit bërthamor, është jashtëzakonisht e vogël. Është e rëndësishme të mos harrojmë se ndërsa vazhdojnë sanksionet dhe përpjekja diplomatike, të cilat duan kohë, iranianët vazhdojnë përditë pasurimin e uraniumit”.

Zoti Panetta ka gjithashtu në plan të inspektojë zhvillimin e një sistem lëvizës mbrojtjeje nga ajri që ka si synim të godasë raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe mortaja artillerie.

Vizita e zotit Panetta në Izrael vjen në një kohë kritike ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një përfshirje më direkte në luftën civile në Siri dhe peshojnë drejtimin e lëvizjeve të tyre në Iran.

XS
SM
MD
LG