Lidhje

Panetta: SHBA po humbasin durimin me Pakistanin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes i bëri thirrje Pakistanit të veprojë kundër kryengritësve që sulmuan forcat amerikane në Afganistan

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta i bëri thirrje Pakistanit të veprojë kundër kryengritësve që sulmuan forcat amerikane në Afganistan, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po arrijnë kufirin e durimit.

Duke folur sot në Kabul, zoti Paneta tha se është një shqetësim në rritje që Pakistani është strehë për terroristët dhe se grupet si rrjeti Hakani i lidhur me al-Kaidën i përdorin ata për të sulmuar forcat e koalicionit.

Sekretari i mbrojtjes tha se është shumë e rëndësishme që Pakistani të veprojë për të ndalur këtë lloj strehimi dhe të mos lejojë terroristët ta përdorin vendin e tyre si rrjet të sigurtë për të kryer sulme ndaj forcave amerikane.

Rrjeti Hakani është fajësuar për një numër sulmesh vdekjeprurëse ndaj forcave ndërkombëtare në Afganistan. Grupi besohet ta ketë bazën në rajonin fisnor të Vaziristanit në veri të Pakistanit – një objektiv i shpeshtë i sulmeve amerikane me avionë pa pilot.

Shtetet e Bashkuara I kanë bërë thirrje Pakistanit të ndërmarrë një offensive ushtarake kundër këtij rrjeti, por Pakistani ka kundërshtuar duke cituar operacione ushtarake që po ndërmerr në zona të tjera.

Sekretari Paneta i bëri komentet e tij pas takimit me ministrin afgan të Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak. Shefi i departamentit amerikan të mbrojtjes bëri vizitën e panjoftuar në Afganistan për të diskutuar luftën me zyrtarët ushtarakë, përfshi komandantin e forcave amerikane dhe atyre të Natos, gjeneralin John Allen.

XS
SM
MD
LG