Lidhje

Papa Benedikt takohet me viktimat e abuzimeve seksuale të priftërinjve katolikë


Papa Benedikt është takuar me viktimat e abuzimeve seksuale të priftërinjve katolikë, pasi shprehu keqardhje dhe turp të thellë për këto akte.

Vatikani tha se Papa ishte emocionuar nga takimi sot me viktimat e abuzimeve, në ditën e tretë të vizitës së tij shtetërore në Britani.

Më herët sot, Ati i Shenjtë e përmendi skandalin e abuzimeve seksuale në një meshë në Katedralen Westminster. Më shumë se 3 mijë e 500 vetë ndoqën shërbesën fetare, brenda ose përreth katedrales, në ekranet televizive.

Para shërbesës, Papa Benedikti u takua me kryeministrin David Kameron, zëvendësin e tij Nick Clegg dhe kryetaren në detyrë të Partisë Laburiste, Harriet Harman.

Kundërshtarët e kësaj vizite historike zhvilluan marshime në qendër të Londrës dhe organizuan sot një tubim.

Shumë britanikë shprehin zemërim ndaj mënyrës si i trajtoi Kisha katolike priftërinjtë që akuzoheshin për abuzime me fëmijët. Të tjerë kundërshtojnë qëndrimin e Vatikanit ndaj të drejtave të homoseksualëve, abortit dhe profilaktivëve.

XS
SM
MD
LG