Lidhje

Papa i bën thirrje Libanit për paqe dhe tolerancë


Udhëheqësi i Kishës Katolike u takua sot me zyrtarë libanezë dhe me udhëheqës fetarë në Pallatin Presidencial në Beirut

Papa Benedikti i bëri thirrje Libanit të bëhet modeli i paqes dhe lirisë fetare në Lindjen e Mesme të përfshirë nga trazirat.

Udhëheqësi i Kishës Katolike u takua sot me zyrtarë libanezë dhe me udhëheqës fetarë në Pallatin Presidencial në Beirut, ku u prit me brohoritje nga turmat. Papa tha se të Krishterët dhe Myslimanët në Liban kanë jetuar bashkarisht për shekuj me radhë dhe shpesh familjet libaneze kanë anëtarë nga të dyja fetë.

Papa shtroi pyetje: ”Në se kjo bashkëjetesë është e mundhshme brenda një familjeje, përse të mos jetë e mundur edhe në nivelin e të gjithë shoqërisë?”

Një nga udhëheqësit libanezë pjesëmarrës në takim, Sheiku Muhamad Rachid Qabbani, i dha Papës një letër, ku thuhej se ai e konsideronte çdo sulm ndaj një të krishteri, si sulm ndaj të gjithë myslimanëve.

Gjatë një fjalimi për të rinjtë mbrëmë vonë, Papa shprehu gjithashtu solidaritet me të rinjtë në Siri. Ati i Shenjtë tha se admiron guximin e tyre dhe shtoi se ka ardhur koha që të krishterët dhe myslimanët të bashkohen për t’i dhënë fund dhunës dhe luftës.
XS
SM
MD
LG