Lidhje

Papa Benedikti, në Kubë për të ringjallur besimin fetar


Papa Benedikti mbërrin sot në Kubë me synimin për të ringjallur besimin fetar në një vend dikur zyrtarisht ateist.

Papa do të pritet nga Presidenti Raul Castro në aeroportin e Santiagos, qyteti i dytë më i madh i Kubës. Vizita e tij do të shënojë 400 vjetorin e ikonës fetare, E Virgjëra e Dhurimeve të El Cobre-s, e respektuar nga shumë kubanë pavarësisht besimit të tyre fetar.

Papa mbërrin në Kubë në një kohë që po ngrohen marrëdhëniet mes kishës dhe shtetit. Kisha katolike është shndëruar në një institucion më me ndikim mbas qeverisë. Kuba ishte zyrtarisht ateiste që prej vitit 1959 deri në një ndryshim kushtetor të vitit 1992, që shfuqizoi ateizmin si kredon shtetrore dhe bëri thirrje për ndarjen e kishës nga shteti. Në të njëjtën kohë, Partia Komuniste shfuqizoi vendimin që ndalonte anëtarë me besime fetare.

Papa Benedikti e bëri të qartë tonin e vizitës së tij të premten kur u tha gazetarëve se Kisha Katolike është gati ta ndihmojë Kubën që të largohet nga komunizmi. Ai tha se ideologjia marksiste nuk përputhet me realitetin, madje ai ofroi ndihmën e kishës për të avancuar Kubën pa "trauma".

Ndërsa kubanët përgatiten për mbërritjen e udhëheqësit të Kishës Katolike, disidentët kanë ende shpresë se do të jenë në gjendje të paraqesin pikpamjet e tyre rreth qeverisë komuniste.

XS
SM
MD
LG