Lidhje

Papa Françesku për shërbimin ndaj komunitetit


Papa Françesku ka folur shumë kohët e fundit për shërbimin ndaj komunitetit. Njëkohësisht, ai është bërë edhe kritik i sistemit kapitalist ndërkombëtar, që ai thotë se është përqëndruar tek paraja dhe jo tek njerëzit. Para pak ditësh, në një intervistë të transmetuar në vendin e tij, Argjentinë, Papa dënoi atë që ai e quajti "kulturë e braktisjes," të cilën ai e lidh me nivelin e lartë të papunësisë mes evropianëve të rinj.

Papa Françesku i tha kineastit dhe kandidatit argjentinas për senatin Pino Solanas se njerëzit sot jetojnë nën një sistem të padrejtë ndërkombëtar të bazuar tek "paraja mbret". Ai tha se kultura e sotme e braktisjes lë mënjanë të rinjtë dhe të moshuarit.

"Në disa vende evropiane, pa përmendur emra, papunësia mes të rinjve arrin në 40 për qind dhe më të shumë. Një brez i tërë të rinjsh nuk ka dinjitetin që sjell puna. Ajo që unë dua t'u them të rinjve është të kujdesen për njëri-tjetrin, të jenë të vetëdijshëm për këtë dhe të mos lejojnë që të hidhen tej nga të tjerët. Pra që kultura e braktisjes të ndalet dhe të arrihet kultura e përfshirjes."

Papa tha se një shoqëri e cila neglizhon të rinjtë dhe të moshuarit e vet nuk ka të ardhme.

Gati gjashtë milion njerëz të moshës 15-24 në Bashkimin Evropian janë të papunë, shumica e tyre në Spanjë dhe Greqi. Këtë muaj, udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën në Paris për të diskutuar mbi një zgjidhje të papunësisë rekord mes të rinjve në bllokun prej 28 vendesh. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se niveli i lartë i papunësisë mes të rinjve është ndoshta problemi më i madh i këtij blloku.

Mesazhi i Papës për argjentinasit erdhi një ditë pasi ai shpalli vizionin e papatit të tij duke dënuar kapitalizmin e shfrenuar si një "tirani të re." Dokumenti prej 84 faqesh, i paraqitur të martën nga Peshkopi Rino Fisichella, dënon lakminë dhe pabarazinë e përhapur shoqërore.

"Ne duhet të përballemi me sfidat të cilat e prekin më shumë jetën tonë: ndjenjën e "pasigurisë së përditshme, me pasoja të këqija", format e ndryshme të 'pabarazisë sociale', të 'fetishizimit të parasë dhe të diktaturës së një ekonomie pa fytyrë', të 'konsumizmit të dëshpëruar dhe të shfrenuar'."

Që nga fillimi i papatit të tij tetë muaj më parë, kreu i Kishës Katolike u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që ta zhvendosin vemendjen nga dëshira për pushtet te shërbimi ndaj njerëzve. Ai u ka bërë thirrje besimtarëve të ofrojnë ndihmë për pjesëtarët më të rrezikuar të komunitetit dhe është lavdëruar për modestinë që ka treguar. Papa Françesku ka kritikuar edhe ndotjen e mjedisit. Në intervistën e tij me zotin Solanas, ai dënoi prirjen për të shpenzuar pa kriter burimet e çmuara natyrore, sidomos ujin.

"Ne nuk mund të shpërdorojmë apo të ndotim ujin. Ne duhet të kujdesim për krijimin e burimeve."

Papa është udhëheqësi shpirtëror i 1.2 miliardë katolikëve të botës dhe, përtej kishës, ushtron ndikim të rëndësishëm në nivel global.
XS
SM
MD
LG