Lidhje

Parada e dritave të anijeve


Mijëra njerëz u mblodhën kohët e fundit në portin e qytetit historik Anapolis, të Merilendit, për të shijuar pamjet e një prej traditave të përvitshme të periudhës së pushimeve: paradën e dritave të anijeve. Në të morën pjesë rreth 40 anije të zbukuruara me drita me ngjyra si dhe me dekorime për festat e fundvitit.

Në këtë mbrëmje të ftohtë dhjetori, grumbujt e njerëzve shijuan pamjet e anijeve plot drita prej portit të qytetit si dhe prej sipër një ure. Por pati nga ata që e ndoqën paradën nga brenda anijeve të tyre. Cheryl Adams, nga shteti fqinj i Delaware-it, qëndroi jashtë pranë një restoranti.

"Ajo që e bën këtë aktivitet kaq të madh është numri i shumtë i njerëzve që kanë vendosur të dekorojnë anijet e tyre. Është
mbresëlënëse."


Anijet ndriçonin me drita dhe dekorime me tema të ndryshme, si një lodër fëmijësh apo kjo sirenë. Banorit të Annapolisit Rick Miller i pëlqeu veçanërisht ky far.

"Njerëzit shpenzojnë shumë kohë për të vendosur dritat në anijet e tyre. Është e mahnitshme."

Ky është viti i 30-të i paradës. Ajo në fakt filloi prej një personi të vetëm, i cili dekoroi barkën e tij dhe shëtiti me të nëpër port.

Varkat dhe anijet janë një pjesë e rëndësishme e jetës në Annapolis, qytet që lindi si një port mjaft aktiv në vitet 1700 në brigjet e Gjirit Chesapeake, grykëderdhja më e madhe e vendit.

Peter Holden, banor i qytetit prej një kohë të gjatë, dekoroi varkën e tij me temë nga Vitit të Ri. Në të përfshihen vallëzime dhe zbukurime 8-metra të larta në formën e gotave të shampanjës.

"Ne lidhëm në rrjeta teli njëra pas tjetrës rreth 10 mijë llamba për të formuar iluzionin e dy gotave, dhe më pas rreth 5 mijë drita të tjera brenda tyre për të dhënë iluzionin e shampanjës."

Varka e zotit Holden quhet "My Way", që është titulli i një kënge të famshme amerikane të viteve 1960 e cila u këndua fillimisht nga këngëtari i madh Frank Sinatra.

Gjatë paradës, Dale Corn, një këngëtar nga Baltimora fqinje, argëtoi njerëzit me këngë të Sinatrës.

Mary Evans kërceu nën ritmet e muzikës. Më parë, ajo na tha se ka marrë pjesë në paradën e barkave për 6 vjet.

"Është një moment shumë i bukur. Është kënaqësi të komunikosh me njerëzit në breg."

Carl Bower thotë se anijet e ndriçuara sjellin atmosferën e Krishtlindjeve.

"Është një kohë shumë festive. Gjithkush këtu ka ardhur vetëm për t’u argëtuar."

Zoti Holden thotë se parada bashkon njerëzit për të festuar festat në shoqërinë e njëri-tjetrit.

XS
SM
MD
LG