Lidhje

Sulmuesi i Parisit ishte i lindur ne Çeçeni


Autori i sulmit me thikë dje në Paris, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë, ishte me origjinë nga Çeçenia. Policia franceze e ka identifikuar autorin e sulmit vetëm me emër dhe inicialin e mbiemrit, si 20 vjeçari Khamzat A., i cili është vendosur në moshë të vogël në Francë, pas emigrimit të familjes dhe është rritur në Strasburg, qytet me komunitet të madh refugjatësh çeçenë.

Autoritetet franceze thanë se përgjegjësi për sulmin vdekjeprurës me thikë në qendër të Parisit, është një shtetas francez i lindur në Çeçeni, dhe se kishte qenë në listën e vëzhgimit të personave të dyshuar si ekstremistë. Policia franceze ka ndaluar prindërit e tij për t'i marrë në pyetje.

Burimet thanë se Khamzat ishte në të dyja listat kryesore të Francës për individë të dyshuar për pikëpamje radikale – e ashtuquajtura “Dosja S”, si dhe në Listën për Parandalimin e Radikalizmit Terrorist (FSPRT).

Por një burim i afërt me hetimin tha se Khamzat nuk konsiderohej si një objektiv prioritar “sepse ishin të afërmit e tij që i njoftuan shërbimet e sigurisë, në vend që të futej në listë për shkak të sjelljeve, veprimeve ose ideve të tij”.

Hetuesit e antiterrorizmit po punojnë për të zbuluar nëse ai veproi vetëm ose nëse kishte patur ndihmë. Khamzati vrau një 29-vjeçar dhe plagosi katër të tjerë, para se të qëllohej me armë zjarri nga policia.

Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, tha sot se katër të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

GERARD COLLOMB

“Sapo pashë në këtë spital, pak çaste më parë, personin që ishte plagosur më rëndë. Ajo është më mirë...doli nga salla e operacionit dhe nuk është më në rrezik për jetën. Dy nga miqtë e saj janë në një spital tjetër dhe ata janë gjithashtu jashtë rrezikut. Personi i katërt ka shpëtuar gjithashtu” tha ministri i brendshëm francez.

Dëshmitarët kanë njoftuar se e dëgjuan sulmuesin duke thirrur “Allahu Akbar”, shprehjen në arabisht që do të thotë “Zoti është i madh”. Grupi ekstremist Shtetit Islamik mori përgjegjësi për sulmin.

Policia e Parisit ka shkruar në Twitter se sulmi ndodhi në distriktin e 2-të të kryeqytetit francez, i cili shpesh është i mbushur me njerëz që shkojnë drejt Operas Garnier dhe restoranteve lokale.

Jonathan tha se po punonte në një restorant pranë skenës së ngjarjes:

JONATHAN

“Po punoja në restorant dhe papritmas dëgjova një grua duke bërtitur, e cila u përpoq të hynte në restorantin tonë, por fatkeqësisht nuk mundi; ai arriti ta sulmonte. Në atë moment filloi paniku, të gjithë po bërtitnin dhe po përpiqeshin të vinin brenda në restorant. Gruaja që u sulmua, u ndihmua nga miku i saj dhe ata arritën të largoheshin. Sulmuesi vazhdoi të ecte përreth me thikën në duart e gjakosura dhe pastaj iu afrua një zone tregtare, kur pashë që të gjithë po vraponin jashtë dhe ai ishte prapa tyre”.

Parisi ka qenë në gjendje gatishmërie të lartë, pas një seri sulmesh terroriste që kanë tronditur Francën gjatë tre viteve të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG