Lidhje

Shqipëri, PS: “Imunitetet jo kufizim lirie”


Kryetari socialist Edi Rama akuzon ministrinë e mbrojtjes për përgjimin e opozitës: “Imuniteti s’mund të kthehet në gjueti shtrigash”. Kryeministri e akuzon: “Kërkon bllokimin e statusit kandidat”

Në Shqipëri kryetari i partisë socialiste akuzoi sot sërish ministrinë e Mbrojtjes për përgjime të paligjshme të përfaqësuesve të opozitës, ndërsa u shpreh se në këto kushte nuk do të lejojë që kufizimi i imunitetit të kthehet në një kufizim të lirisë apo të nxisë një gjueti shtrigash ndaj opozitës në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha sulmoi sërish kryetarin e opozitës i cili sipas tij me bllokimin e heqjes së imunitetit kërkon të ndëshkojë vendin me mosmarrjen e statusit kandidat për në Bashkimin
Socialistët ju rikthyen sot akuzave për përgjime të paligjshme nga ana e ministrisë së mbrojtjes. Kryetari Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar tha se urdhëri për pajisjen e përgjimeve me një vlerë mbi 1.5 milion euro është dhënë që në shkurtin e kaluar dhe se “përdorimi i saj nga shërbimi i fshehtë i ushtrisë është në kundërshtim me ligjet e vendit”. Madje sipas tij vlera reale e pajisjes nuk i kalon 400 mijë eurot, ndërsa përgjimi i përfaqësuesve të opozitës, tha ai, është një atentat kushtetues:“Përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin është përsëri vepër e mirëfilltë penale. Për faktin se, përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisjeje është përgjuar e vazhdon të përgjohet opozita, kjo është akoma më keq, është një atentat ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Ministri i mbrojtjes Arben Imami i ka hedhur poshtë këto akuza duke i konsideruar si qesharake, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar të ushtrojnë kontroll në institucionin e drejtuar prej tij, kontroll i cili sipas zotit Imami duhet të bëhet në respekt të procedurave. Polemikat mbi këtë cështje po ushqejnë edhe debatin për imunitetet. “Në këto kushte paligjshmërie sistemike, kur deri edhe njësi përgjimi e paligjshme instalohet për të survejuar opozitën, pasi blihet me shuma marramendëse, debati për kufizimin e imunitetit, në fakt, bëhet edhe më i mprehtë. Dhe ne nuk do të pranojmë që kufizimi i nevojshëm i imunitetit, të kthehet në kufizim lirie për këdoqoftë që sot ka imunitet për shkak të detyrës”, tha zoti Rama.

Shumica ka propozuar zhveshjen thuajse të plotë të parlamentarëve nga imuniteti, të cilët mund edhe të arrestohen, ndërsa parlamenti mund të revokojë këtë mase vetëm nëse “cënohet ndjeshëm” funksionimi i tij. Kryeminisri Berisha ka ftuar disa herë opozitën të japë votën për heqjen e imunitetit. Ndërsa sot përmes zëdhëneses Erla Mëhilli akuzoi zotin Rama se me qëndrimet për këtë cështje synon të bllokojë integrimin europian të vendit: “Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën europiane. Zoti Rama, pra, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi”.

Dje për cështjen e imuniteteve trojka e ambasadorëve pati një takim të gjatë me kryetarin socialist dhe ftoi palët të shkojnë drejt një zgjidhjeje. Socialistët duket se janë në favor të kufizimit, sic e përmendi disa herë sot zoti Rama, dhe kërkojnë garanci për një pavarësi më të madhe të institucioneve të Drejtësisë. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe është i palëkundur: Jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës, për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë, që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh zoti Rama

Parlamenti ka vendosur që seanca për votimin e imuniteteve të mbahet me 6 gusht. Socialistët kanë propozuar shtyrjen për në sesionin e ri, por sot kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli tha se nuk ka kohë për të humbur me justifikime.
XS
SM
MD
LG