Lidhje

Parlamenti shqiptar i heq imunitetin deputetit Dritan Prifti pas dyshimeve për korrupsion


Parlamenti shqiptar i heq imunitetin deputetit Dritan Prifti pas dyshimeve për korrupsion
Parlamenti shqiptar i heq imunitetin deputetit Dritan Prifti pas dyshimeve për korrupsion

Parlamenti shqiptar votoi sot për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, i dyshuar nga prokuroria se ka ndarë rryshfete me vartësin e tij, bazuar në një video të regjistruar nga vetë deputeti. Pothuaj të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro, 119 dhe vetëm 3 kundër heqjes së imunitetit të tij, ndërsa deputeti Prifti mungoi në seancë.

Në një letër drejtuar kryetares së parlamentit theksoi se ishte i gatshëm për heqjen e imunitetit dhe do të bashkëpunonte me drejtësinë për ndricimin e ngjarjeve.

Prokuroria e Përgjithshme kërkoi autorizimin e parlamentit për të nisur hetime ndaj deputetit Prifti, pasi mendon se ka prova për akte korrupsioni të tij dhe shpërdorim detyre, që pasqyrohen në një regjistrim video të vetë zotit Prifti. Prokuroria tha se videon ku ish ministri ndan shuma të mëdha parash në kesh me zëvendës ministrin e gjeti në një kompjuter që vetë zoti Prifti ua dorëzoi hetuesve për të treguar një tjetër video, ku, sipas tij, ish zëvendës kryeministri Ilir Meta i bën presion për një tender dhe për të marrë rryshfet.

Videoja e parë u shfaq në stacionin Top Channel ditët e para të janarit, ku shihen ministrat Meta dhe Prifti teksa diskutojnë për çështje pune. Televizioni privat Top Channel transmetoi materiale filmike, duke thënë se ato pasqyronin presionet që Ilir Meta i bënte kolegut të partisë dhe të kabinetit qeveritar për të favorizuar një kontraktor për tenderin e hidrocentrali, dhe për të ndarë rryshfetin.

Sipas ekspertëve, Meta i kërkoi Priftit të anullojë një tender të kompanisë shtetërore Albpetrol për të ndihmuar një tjetër kompani që të marrë pjesë në garë, si dhe për t’i dhënë një tjetër kompanie koncensionin për hidrocentral, pavarësisht nga rishikimi i çështjes në gjykata. Zoti Meta i dënoi filmimet si montime të keqkuptuara, duke thënë se ai “nuk ka bërë presion për rryshfet”, dhe dorëzoi menjëherë imunitetin parlamentar, por u desh që kjo të konfirmohej nga parlamenti një javë më parë me një muaj vonesë.

Videoja e dytë nuk është shfaqur në televizione.

Prokuroria njoftoi parlamentin se në kompjuterin e zotit Prifti, teksa studionin videon e parë me zotin Meta, ekspertët gjetën edhe një video të dytë të fshirë, të cilën e rikthyen dhe ku shihej zoti Prifti që ndante shuma të mëdha në euro me zëvendësin e tij. Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi parlamentit të hiqet imuniteti i deputetëve Ilir Meta për të nisur hetimet mbi dyshimet për presion me qëllime përfitimi, bazuar në videon e parë, dhe deputetit Dritan Prifti mbi dyshimet për ndarje rryshfeti me një vartës të tij, bazuar në videon e dytë, materiale filmike të regjistruara nga vetë ish-ministri Prifti.

Zoti Meta drejton një parti të vogël majtiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim, një partnere e vogël në qeverinë e mbizotëruar nga demokratët e qendrës së djathtë, e cila fitoi zgjedhjet në qershor 2009.

Pjesëmarrja e kësaj partie në në koalicionin e kryeministrit Sali Berisha është çelësi i qëndrueshmërisë së qeverisë që ka aplikuar për në Bashkimin Europian. Pavarësisht nga konteksti partiak i ngjarjeve, Bashkimi Europian bëri thirrje për hetime mbi akuzat ndaj Metës.

Bashkimi Europian refuzoi aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit në fund të vitit të kaluar, duke i kërkuar asaj të plotësojë një listë detyrash me 12 pika, në krye të cilave është lufta kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG