Lidhje

Parlamenti në Tiranë, sërisht debat për reformën zgjedhore


Parlamenti në Tiranë, sërisht debat për reformën zgjedhore
Parlamenti në Tiranë, sërisht debat për reformën zgjedhore

Parlamenti në Tiranë debatoi sot përsëri për reformën zgjedhore. Opozita socialiste i kërkoi kryeministrit Berisha që të shprehte mendimin e tij mbi kërkesat e fundit të opozitës. Ndërsa zoti Berisha tha se propozimet e fundit të opozitës në tryezën e reformës zgjedhore po shqyrtohen me kujdes. Ekspertë të pavarur shprehen optimistë se komunikimet e fundit mes pozitës dhe opozitës po e futin reformën në rrugën e zgjidhjes. Qeveria dhe opozita shkëmbyen pikëpamje të ndryshme mbi reformën zgjedhore në seancën e sotme të parlamentit. Maxhoranca ka ftuar partitë dhe organizatat joqeveritare të vazhdojnë në nivel ekspertësh nesër në një tryezë të dytë punën e nisur në tryezën shumëpartiake të një jave më parë.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, tha se opozita ende po pret një përgjigje mbi propozimet që i parashtroi tryezës javën e kaluar, ndërkohë që erdhi ftesa për një tryezë të dytë. Ai e quajti provokim ftesën e re për tyryezë ekspertësh. “Premtuat publikisht se do ta studionit me shumë interes ofertën e opozitës. Sot kanë kaluar 6 ditë dhe nuk keni dhënë asnjë përgjigje. Përkundrazi, keni dërguar dje një shkresë provokative, ku në vend që të ktheni përgjigje për vullnetin e munguar prej një viti për transparencë, shkruani se ngrihet tryeza e ekspertëve të partive politike për të bërë reformën zgjedhore. Po ju pyesim: Çfarë përgjigje keni për ofertën e opozitës?” - theksoi zoti Ruçi.

Kryeministri Sali Berisha u përgjigj menjëherë se e kishte studiuar me kujdes propozimin që opozita paraqiti në tryezën shumëpartiake të një jave më parë. Ai tha se ishte plotësisht dakord me hetimin e pakufizuar të zgjedhjeve të qershorit 2009, siç e kërkon kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. “Në këë kërkesë zoti Rama shkruan se komisioni parlamentar duhet të bëjë hetim të pakufizuar. Unë i pari jam për hetim pa asnjë kufizim. Në rast se kërkohet hetim i pakufizuar, atëherë le të fillojmë me të gjithë problematikën e komisionit hetimor, dhe le t’i japim kohë gjykatave për ta bërë të pakufizuar këtë hetim me vendimet e tyre” - tha ai. Zoti Berisha tha se maxhoranca pranonte çdo vendim gjykate mbi zgjedhjet, çdo rinumërim votimesh dhe çdo ndryshim rezultati zgjedhor, me kushtin e vetëm që këtë ta vendosë gjykata.

Por çfarë mendojnë për reformën zgjedhore dhe tryezën shumëpartiake pjesëmarrës të tjerë të jetës politike në Tiranë. Në tryezë morën pjesë 6 parti politike dhe 6 organizata joqeveritare me një përvojë të gjatë e profesionale në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe hartim ligjesh e regulloresh mbi zgjedhjet. Drejtuesi i Institutit për zhvillimin e demokracisë dhe sistemeve zgjedhore, Kristaq Kume, thotë se tashmë nga të gjithë pjesëmarrësit në tryezë reforma zgjedhore vlerësohet si një domosdoshmëri dhe ndihmesa nga të gjithë nevojitet si një përgjegjshmëri.

“Është tashmë një situate që e njohin të gjithë. Pjesëmarrjen e zotit Rama e vlerësova si një hap më tej për të kompromisin në zgjidhje të problemit që ka të bëjë me transparencën e procesit të kaluar zgjedhor. Po e tillë ishte edhe deklarata e kryeministrit Berisha, ku deklaroi se do të presë deri në afatet më të skajshme kohore për hetimin e zgjedhjeve dhe tejkalimin e ngërçit politik. Fakti që reforma zgjedhore bashkangjitet me realizimin e transparencës të jep përshtypjen skeptike se nuk do të mundet kush ta zgjidhë. Por unë jam optimist se nisja e kësaj tryeze dhe puna më tej për realizimin e pjesës teknike, që parapërgatit vendim-marrjen politike, është një process që ka filluar të bëhet dhe nuk ka më kohë për t’u penguar” - tha zoti Kume.

Sipas ligjeve shqiptare, reforma zgjedhore duhet të mbarojë 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme vendore të dekretuara për në 8 maj. Të vendosura tashmë edhe në presionin e kohës, ashtu si edhe të ngërçit politik, faktorët shqiptarë dhe ndërkombëtarë po bëjnë çdo përpjekje për ta kryer me mirëkuptim këtë reformë nga të gjitha palët. Por opozita ka deklaruar se nuk bëhet pjesë e asnjë reforme, nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve të kaluara.

XS
SM
MD
LG