Lidhje

Parlamenti i Greqisë miratoi masa të ashpra ekonomike


Mijëra protestues dolën përsëri dje nëpër rrugët e Athinës për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj shkurtimeve drastike të shpenzimeve, të cilat do të ndikojnë tek pensionet dhe rrogat e sektorit civil. Por parlamenti grek votoi për paketën e masave të ashpra ekonomike, e kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në këmbim të një huaje prej 145 miliardë dollarësh, që do të japin këto dy institucione.

Qeveria greke tha se vendi nuk ka rrugëdalje tjetër veçse të shkurtojë shpenzimet në mënyrë që të reduktohet borxhi në rritje dhe deficiti shtetror. Anketat e opinionit tregojnë se ekziston një farë mirëkuptimi nga ana e popullit, megjithatë kjo ndjenjë nuk është aspak e njëzëshme.

Një banor i Athinës tha se është shumë i pakënaqur dhe pa shpresë që Greqia nuk mund të gjejë mënyra për të dalë nga kriza.

Megjithë paketën e shpëtimit nga kriza, po shtohen shqetësimet se kriza e Greqisë do të përhapet dhe ndikojë tek ekonomitë e tjera të dobëta evropiane. Agjencia Moody paralajmëroi dje se kriza greke mund të prekte sistemet bankare në vende të tjera evropiane, mes tyre atë të Portugalisë, Spanjës dhe Britanisë. Vlera e Euros ka rënë gjithashtu në nivelin më të ulët gjatë më shumë se një viti, duke pasqyruar kështu tregjet e paqëndrueshme.

Udhëheqësit e 16 vendeve të Eurozonës do të takohen sot për të miratuar përfundimisht paketën e ndihmave për Greqinë si dhe për të diskutuar mbi mënyrat për të parandaluar një krizë më të madhe.

Në Portugali, presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane, Jean-Claude Trichet u përpoq të qetësonte shqetësimet rreth ripagimit të huasë nga Greqia. Ai tha se ekonomitë e paqëndrueshme, si ajo e Spanjës dhe Portugalisë, nuk përballeshin me fatin e Athinës.

Zoti Trichet mbrojti gjithashtu reagimin e vendeve evropiane ndaj krizës së Greqisë, duke thënë se ky reagim ka qënë i njëjtë, duke përfshirë edhe vendimin për të miratuar për Athinën paketën e shpëtimit ekonomik.

“Ne ishim të një mendimi kur i kërkuam Greqisë që të zbatojë një program rimëkëmbjeje. Ne ishim të një mendimi kur mbështetëm programin e rimëkëmbjes, i cili u negocua nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me ne dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.

Kritikët thonë se Bashkimi Evropian reagoi me një rritëm të ngadaltë ndaj krizës së Greqisë. Madje ata vënë në dukje se Evropa nuk ofroi një përgjigje të bashkuar, kur Gjermania fillimisht nguroi t’i jepte hua Athinës në qoftë se nuk pranonte të ndërmerte masa të ashpra ekonomike.

XS
SM
MD
LG