Lidhje

Partitë politike me kërkesa për hetimin e zhvillimeve të pasluftës


Partitë politike me kërkesa për hetimin e zhvillimeve të pasluftës
Partitë politike me kërkesa për hetimin e zhvillimeve të pasluftës

Kryesia e Parlamentit të Kosovës refuzoi sot një kërkesë të Partisë Demokratike për debat parlamentar, në lidhje me siç thuhet krimet që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën e pasluftës. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se kërkesa ishte e paqartë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci, i cili e kishte paraqitur kërkesën, tha se krimet që kanë ndodhur pas luftës, duhet të zbardhen dhe t’i jepet fund periudhës së akuzave dhe kundër akuzave rreth tyre.

Ne jemi dëshmitarë që në Kosovën e pasluftës kanë ndodhur krime të natyrave të ndryshme. Është fol shumë. Dhe ne, si grup parlamentar, vlerësojmë se është e nevojshme që këto krime të mos mbeten të paqarta dhe në momente të caktuara, kujt i teket për interesa të caktuara politike të përdoren dhe të luhet me ndjenjat e shumë familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Por, si parlament, të japim kontributin tonë që këto raste të zbardhen dhe kryesit të dalin para drejtësisë”, tha zoti Grabovci.

Por, përfaqësuesit e partive politike opozitare thanë se një kërkesë e tillë është në adresë të gabuar. Sipas Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, krimet nuk njohin ngjyrë politike.

Këtë e konsideroj një lloj marketingu politik dhe asgjë më tepër. Marketing i thjeshtë politik. Kuvendi nuk është organ që i heton krimet, por janë institucionet përkatëse. Ajo që Kuvendi dhe forcat politike dhe të gjithë ata që janë të rëndësishëm, e kanë obligim të mos ndikojnë në organet e hetuesisë për të zbardhë rastet e rënda”, tha zoti Beqiri

Ndërsa shefi i grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se një nismë e tillë mund të jetë përpjekje për t’ju kundërvënë nismës së deputetit të partisë së tij, Burim Ramadani, për formimin e një komisioni hetimor në lidhje me veprimtaritë e Shërbimit Informativ të Kosovës të njohur si SHIK.

Mendojmë se nëse do të ketë tendencë me u ndërlidhë komisioni hetimor i zotit (Burim) Ramadani me këtë kërkesë të sotme, do ta kuptojmë si kërkesë me kriju obstruksion në ndërtimin e komisionit hetimor që e ka kërkuar zoti Ramadani. Do të thotë, do ta konsiderojmë si një mënyrë për ta relativizuar atë që ka filluar të ndërtohet në Kosovë”, tha zoti Gjini.

Por, kjo mohohet nga zoti Grabovci.

Në mënyrë absolute, në mënyrë absolute jo. E them me bindje se ne e kemi mbështetë dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për të qartësuar se kush ka qenë SHIK-u”, tha ai

Hetimi për SHIK-un, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ndriçonte shumë çështje të ngritura rreth tij.

Një komision hetimor parlamentar do të merrej me çështje tepër të qarta. Do të pyeste ku i kanë marrë fondet, ku i kanë lënë dosjet, ku i kanë lënë pajisjet me të cilat janë shërbyer gjatë kësaj kohe, në bazë të cilit legjislacion kanë vepruar në Kosovë dhe kënd e kanë pasur shef. Do të thotë se çdo shërbim informativ e ka kuvendin ose popullin shef. Kënd e kanë pasur shef këta se definitivisht kuvendin jo”, tha zoti Gjini.

Kritikuesit më të ashpër të SHIK-ut, ishin deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë ngritur shqetësime për siç thuhet, përfshirje të kësaj strukture në shumë veprimtari të paligjshme, ndërsa analisti amerikan, David Philips nga Instituti Kombëtar Amerikan për Politikë të Jashtme, kohë më parë kishte hartuar një raport në të cilin tërhiqte vërejtjen për vazhdimin e funksionimit të Shërbimit Informativ të Kosovës me gjithë pohimet për shpërbërjen e tij. Këto pohime ishin hedhur poshtë nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se hetimet duhet të përfshijnë të gjitha strukturat e zbulimit të kujtdo qofshin që kanë vepruar në Kosovë.

Ne e dimë që në Kosovë kanë vepruar shumë SHIK-s edhe të brendshëm edhe të jashtëm. Dhe realisht, është për të ardhur keq nganjëherë pse bëhet vetëm një diferencim. Mendoj se kërkuesit për të diskutuar vetëm për një shërbim informativ që ka ekzistuar, qoftë mbi bazën e ligjit apo pa ligjit, ta paligjshëm ka shumë në Kosovë, do të duhej të bisedohej për të gjithë, por jo në mënyrë selektive”, tha zoti Krasniqi.

SHIK-u i themeluar gjatë luftës në Kosovë, u bë i njohur si organizatë e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai shpalli përfundimin e veprimtarive të tij në qershor të vitit 2008 nga shefi i atij shërbimi, Kadri Veseli, i njohur më herët me emrin e luftës “Luli”. Shuarja zyrtare e SHIK-ut ishte vlerësuar si një kusht i domosdoshëm për t’i lëshuar vendin strukturës së re të zbulimit në Kosovë, që njihet si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG