Lidhje

Pasojat e pandemisë në bizneset e vogla turistike në Shqipëri


Pasojat e pandemisë në biznesin e vogël turistik shqiptar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Pasojat e pandemisë së koronavirusit ndihen në shumë nga bizneset e vogla turistike në Qendrën Historike të Gjirokastrës. Restorantet e vogla tradicionale janë hapur, por ato ndiejnë mungesën e klientëve, sidomos të turistëve të huaj. Bizneset po kërkojnë ndihmën e turizmit vendas, por vështirësitë e transportit nuk po sigurojnë ende prurjet turistike.

Në Pazarin historik të Gjirokastrës shumë nga bizneset e vogla po ndiejnë pasojat e pandemisë së koronavirusit. Disa nga restorantet e vogla tradicionale, ndonëse janë hapur, nuk kanë klientë. Dëfrim Gjoça që ka një përvojë 35 vjecare si guzhinier thotë se mungesa e klientëve është brenga e tij më e madhe.

Kjo është brenga më e madhe që ndjejmë në këtë situatë sepse jemi mësuar me aktivitet, jemi njerëzit e punës, njerëzit e fitimit, dhurimit të gjithë të mirave materialeve, por ndjejmë që nuk mund ta përshkruajmë këtë situatë”, thotë ai.

Zoti Gjoça thotë më tej se turistët e huaj janë mbështetja më e madhe për restorantet e vogla tradicionale:

"Mua më urojnë punë të mbarë, por u them sa të hapim derën se s'kemi punë. Puna në Pazar tek restorantet karakteristike tradiconale, si është edhe lokali ku punoj, është vetëm me të huajt, me gatimet tradicionale, me ato gjërat më të shijshme të gjirokastritëve”.

Këtë vit këto sipërmarrje janë të vetëdijshme se mungesa e turistëve të huaj do të jetë një sfidë. Kam bindjen thotë zoti Gjoça se do të ketë punë minimale, pothuajse zero. Edhe një tjetër restorant në hyrje të pazarit ndonëse është hapur nuk ka klientë. Ardita Hoxha thotë se kjo situatë këtë vit i ka zënë në befasi bizneset dhe shpreson që situata të kalojë sa më shpejt.

“Jemi në një gjendje që nuk e prisnim, qe e paparashikueshme, themi se duhet të bëhet më mirë. Presim turistët, se Gjirokastra vetëm nga turistët mbahet”, thotë ajo.

Ardita thotë se turistët e huaj janë mbështetja kryesore, por ajo shpreson që mungesa e tyre të kompesohet nga turizmi vendas:

"Turizmi shqiptar duhet të funksionojë se jemi në situatë të vështirë këtë vit. Ne mbështetemi tek turizmi vendas dhe të huajt por sidmos tek të huajt. Ata i japin shumë prioritet Gjirokastrës", thotë ajo.

Restorantet e vogla në Gjirokastër vijojnë të bëjnë përgatitjet. Ndërsa këtë vit ato vuajnë pasojat e pandemisë edhe vitet e shkuara për ta situata nuk ka qenë e lehtë. Restaurimi i vjetshëm i kalldrëmit të Pazarit solli një situatë kaotike në sezonin turistik ndërsa edhe në vitin paraardhës restaurimi i godinave bëri që shumë subjekte të mbylleshin për disa muaj. Në Shqipëri kompanitë që kryejnë investime nuk kompensojnë këto ndërprerje të aktiviteteve dhe pasojat bien mbi bizneset e vogla. Vështirësive të biznesit turistik i shtohet edhe akiviteti sezonal, pasi megjithë përpjekjet, në Gjirokastër, turizmi vijon të jetë stinor dhe jo gjithëvjetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG