Lidhje

PD feston 23 vjetorin e themelimit


Partia Demokratike festoi në mbrëmje 23 vjetorin e themelimit të saj si e para parti opozitare pas afro gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Qindra antarë dhe përkrahës të kësaj partie morën pjesë në ceremoninë ku kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha, premtoi sërish se opozita do të ndjekë me vendosmëri parimet demokratike dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Kjo është sfida jonë e re, sfida jonë e përbashkët, për fillimin e ri, për ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë dhe në qeverisje me energji të reja, me ide të reja, me projekte të reja për Shqipërinë e zhvilluar në mes vendeve të Bashkimit Europian. Do ta bëjmë. Do ta arrijmë” - tha zoti Basha.

Ai theksoi se sfida europiane për opozitën ka nisur tashmë duke ndërtuar modelin e një opozite të fortë, me argumente në mbrojtje të demokracisë dhe të shtetit ligjor nga arbitrariteti dhe paligjshmëria, për të bërë realitet ëndrrën europiane të çdo qytetari shqiptar. Sipas tij, PD do të çelë konsultime me anëtarët çfarë duhet të korrigjohet, në mënyrë që të ndihmojë sa më shumë zhvillimin e vendit.

Po ashtu, Partia Demokratike, sipas zotit Basha, do të hapë dyert për të rinjtë bashkë me rivlerësimin e të gjithë demokratëve ndër vite, për ta zgjeruar dhe modernizuar atë. Ai kujtoi që PD u themelua 23 vjet më parë si kundërshtare e diktaturës komuniste dhe gjithmonë ka aspiruar për lirinë dhe demokracinë.

Kjo është hera e tretë qysh nga themelimi i saj që Partia Demokratike. Në dhjetor të vitit 1990 bashkë me lindjen e Partisë Demokratike u themelua edhe pluralizmi politik, në vitet 1997 dhe 2013 ajo humbi zgjedhjet, për t'u zëvendësuar nga Partia Socialiste, e cila tani po nis reforma të thella në ekonominë problematike. Ashtu si në 1997 edhe sot socialistët fajësuan Partinë Demokratike për keqpërdorim të fondeve publike, korrupsion dhe ngadalësim të reformave të kërkuara nga Europa e Bashkuar. Këto janë akuzat më të zakonshme që dy partitë e mëdha ia drejtojnë njëra tjetrës për më shumë se dy dekada pluralizëm politik, kohë kur herë në qeveri dhe herë në opozitë kanë mbizotëruar jetën politike të vendit.
XS
SM
MD
LG