Lidhje

Pence: marrëveshja mbi programin bërthamor të Iranit duhet të ndryshojë


Nënpresidenti i SHBA, Mike Pence përsëriti sot qëndrimin e administratës Trump se marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit duhet të ndryshojë. Ai tha gjithashtu se zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem është një shenjë e qartë e angazhimit të SHBA.

Gjatë takimit me presidentin izraelit Reuven Rivlin, nënpresidenti amerikan Mike Pence tha se SHBA po u dërgojnë një sinjal aleatëve evropianë rreth nevojës për të ndryshuar marrëveshjen e vitit 2015 që solli zbutjen e sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor për të siguruar se Teherani nuk do të zhvillonte armë bërthamore.

Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësit izraelitë e kanë kundërshtuar marrëveshjen, duke argumentuar se Irani mori shumë, duke lëshuar shumë pak.

Po sot, zoti Pence tha gjithashtu se shpreson që vendimi i Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit do të kontribuojë për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme:

"Presidenti Trump beson realisht se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, do të krijojë kushtet dhe mundësinë për të ecur përpara me negociata kuptimplote për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe për t'i dhënë fund një konflikti të gjatë dhjetravjeçar", tha nënpresidenti Pence.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson kishte thënë më parë se zhvendosja e ambasadës ka gjasa të zgjasë vite. Por dje, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert konfirmoi se administrata "do ta përshpejtojë planin e saj për të hapur ambasadën e SHBA në Jeruzalem dhe do të hapë ambasadën para fundit të vitit".

Udhëheqësit palestinezë kanë qenë shumë kritikë ndaj vendimit të Presidentit Trump. Një grup ligjvënësish arabë e pritën me protesta fjalimin e zotit Pence në parlamentin izraelit. Ata mbanin pankarta ku shkruhej: “Jeruzalemi është kryeqyteti i Palestinës”, përpara se të nxirreshin me forcë nga salla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG