Lidhje

Pengjet ukrainase jashtë rrezikut pas 12 orësh tensioni


Pengmarrësi merret nga oficerët e policisë në Lutsk

Zyrtarët e Ukrainës thonë se të gjitha pengjet janë liruar dhe pengmarrësi u arrestua pas një ngërçi 12-orësh në një autobus. Pengmarrja përfundoi pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy foli në telefon me të dyshuarin.

Menjëherë pas telefonatës, Zelenskiy nxorri një video të shkurtër në faqen e tij në Facebook për të nxitur ukrainasit që të shikojnë "Earthlings", një dokumentar amerikan i vitit 2005 që ekspozon shfrytëzimin mizor të kafshëve nga njerëzimi, siç kishte dashur pengmarrësi.

Zyrtarët e sigurisë thanë se disa minuta më vonë, pengmarrësi u largua nga autobusi që kishte mbajtur peng në qytetin Lutsk që nga e marta dhe u dorëzua në polici. Ata thanë se të 13 pengjet u liruan të padëmtuar.

Zv.shefi i kabinetit të Presidentit Zelenskiy, Kyrylo Tymoshenko, u tha gazetarëve se sulmuesi, të cilin policia e identifikoi si 44-vjeçarin Maksym Kryvosh, ra dakord të lirojë pengjet pas një telefonate 15-minutëshe me presidentin.

Policia thotë se zoti Kryvosh fillimisht kontaktoi policinë duke e identifikuar veten si Maksym Plokhoy, një pseudonim i cili, thanë ata, përkthehet "Maksimi i keq". Policia tha se zoti Kryvosh kishte bërë më parë rreth 10 vjet burg për akuza të ndryshme.

Të gjithë pasagjerët që u liruan nga zoti Kryvosh u morën në pyetje nga hetuesit pasi u takuan me të afërmit e tyre.

Pas ngjarjes, Presidenti Zelenskiy përshëndeti oficerët e zbatimit të ligjit për shpëtimin e pengjeve.

Mediat ukrainase thanë se i dyshuari është aktivist për të drejtat e kafshëve që ndihmonte në mbrojtjen e qenve endacakë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG