Lidhje

Përkatësia partiake dhe perceptimi i rritjes së ekonomisë amerikane


Sipas shumicës së treguesve, ekonomia amerikane po ecën mirë, një arritje për të cilën Presidenti Donald Trump është mburrur në shumë raste. Por, nëse e shohin kështu edhe amerikanët, kjo lidhet me spektrin politik ku ata bëjnë pjesë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, eksploron pikëpamjet partiake për ekonominë amerikane.

Nëse shikoni shifrat, ekonomia amerikane duket në formë të shkëlqyer. Rritja ekonomike arriti 4.1% në tremujorin e dytë. Papunësia është 3.9%, niveli më i ulët që nga viti 2000. Sektori privat ka rritur vendet e punës për 101 muaj rrjesht. 19.5 milionë vende pune janë krijuar që nga reçensioni i madh dhe ndërkohë vetëbesimi i konsumatorëve është në nivelin më të lartë të 18-të viteve të fundit.

Presidenti Trump ia atribuon politikave të tij pamjen optimiste të ekonomisë.

“Amerika po respektohet sërish dhe po fiton sërish, sepse ne vendosim Amerikën të parën. Shikojmë kudo efektet e mrekullisë ekonomike amerikane”, deklaroi Presidenti Trump.

Mbështetësit e tij janë dakort.

“Mendoj se politikat e tij ekonomike kanë qenë të shkëlqyera; vendi po ecën jashtëzakonisht mirë. Heqja e rregullave shtrënguese mendoj se është e shkëlqyer”, thotë Dan Smolarek, nga Buffalo, i Nju Jorkut.

Por, jo të gjithë mendojnë se Presidenti po bën punë të mirë.

“Nga maksimumi prej 100 pikësh, do t’i jepja 30. Ai ka shumë çështje për të cilat duhet të punojë. Ai ka një punë të vështirë, si çdo president tjetër, por i duhet të punojë shumë më tepër”, thotë Michael Harris, nga Denveri, i Kolorados.

Si çdo çështje tjetër e rëndësishme në SHBA, mënyra se si amerikanët e shikojnë ekonominë varet shumë nga mënyra se si ata votojnë.

“Në përgjithësi, njerëzit e kanë të vështirë të dallojnë se ç’po ndodh me ekonominë. Ata e dinë se në përgjithësi po ecën mirë, por perceptimi i tyre ka prirjen të ndikohet shumë nga preferencat politike. Pra, është nga gjërat, diskutimi për të cilat duhet të fillojë nga fakti se jetojmë në kohë me shumë ndarje partiake. Perceptimet e njerëzve për ekonominë, nëse po ecën më mirë apo më keq, nëse ata vetë po ja dalin më mirë apo më keq, ndikohen së tepërmi nga partia e Presidentit dhe vetë preferencat e tyre partiake”, thotë Robert Griffin, i Fondit të Demokracisë për Studimin e Votuesve.

Zoti Griffin dhe ekspertët e tjerë në këtë grup studjuan 8 mijë amerikanë për efektin e përkatësisë së tyre partiake në perceptimin edhe të aspekteve që bazohen në shifra, siç është ekonomia. Kjo përkatësi ka ndikuar për të paktën 15 vitet e fundit.

“Që nga reçensioni i madh 10 vite më parë, shohim një rritje të qëndrueshme të ndjesisë se ekonomia po ecën shumë mirë. Nga 11% është rritur në 53% niveli i njerëzve që mendojnë se po shkon mirë. Por, kur shqyrton këtë përqindje shikon se është nxitur realisht gjatë viteve të Presidentit Obama prej vetëbesimit të demokratëve. Dhe në veçanti që kur është zgjedhur Presidenti Trump, vetëbesimi i republikanëve është rritur vërtet shumë”, thotë Ryan Streeter, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes.

Krahas përkatësisë partiake, ajo çfarë ndikon tek pikëpamjet është edhe pozicionimi në shkallën e të ardhurave.

Megjithë forcimin e tregut të punës, të dhënat e qeverisë tregojnë se të ardhurat mesatare të amerikanëve vazhduan njëlloj – rritjen më të madhe e patën rrogat e nivelit të lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG