Lidhje

Përkrahje e ulët për Presidentin Obama në botën arabe


Përkrahje e ulët për Presidentin Obama në botën arabe
Përkrahje e ulët për Presidentin Obama në botën arabe

Shumica e arabëve, sipas një ankete të re, nuk i miratojnë politikat e Presidentit Barak Obama dhe kundërshtojnë politikat amerikane për Lindjen e Mesme. Rezultatet gjithashtu tregojnë që arabët mendojnë se Irani po përpiqet të sigurojë armë të shkatërrimit në masë, por që ka të drejtë të zhvillojë programit e tij bërthamor.

Anketa, e zhvilluar nga Universiteti i Merilendit dhe organizata “Zogby International”, mbledh të dhëna për mendimin e publikut për çështjet që kanë të bëjnë me arabët dhe Lindjen e Mesme. Në vitet e fundit, ajo është zhvilluar çdo vit në Egjipt, Jordani, Liban, Marok, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por rezultatet i jep në tërësi për të gjitha vendet.

Ndonëse qëndrimi i arabëve ndaj Shteteve të Bashkuara mbetet i pafavorshëm, 20 përqind e të anketuarve cilësuan qëndrimin amerikan ndaj islamit si politikën me të cilën janë më të kënaqur.

Vitin e kaluar, përkrahja e Presidentit Obama ishte e lartë ndërsa arabët kishin shpresë për politikat e tij ndaj Lindjes së Mesme. Mirëpo sivjet, gati dy të tretat thanë se janë të pakënaqur me presidentin.

Ken Pollak është ekspert për Lindjen e Mesme në Institutin “Brookings” në Uashington. Ai thotë:

“Ka shumë arabë që janë të indinjuar me mosveprimin e dukshëm të administratës së Presidentit Obama në ecurinë e paqes izraelito-palestineze – ka indinjatë për shkak se presidenti shkoi dhe u premtoi se do të përkrahte paqen mes Izraelit dhe palestinezëve dhe se arabët mendojnë se ai nuk ka mbajtur fjalën e dhënë.”

Profesori në Universitetin e Merilendit, Shiblli Telhami, drejtoi projektin e anketës. Ai thotë se ekziston edhe një çështje tjetër:

“27 përqind përmendin Irakun, për të cilin janë paksa të pakënaqur për shkak të jostabilitetin dhe mosformimit të qeverisë së re. Kujtoj se janë të kënaqur, prapëseprapë, që Shtetet e Bashkuara po largohen nga Iraku. Të gjitha anketat tregojnë se arabët duan që forcat amerikane të largohen nga Iraku.”

Konflikti palestinezo-izraelit mbetet çështja më zhgënjyese për arabët. Shumica thanë se do të pranonin një zgjidhje me dy shtete të mbështetur në kufijtë e para luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Megjithatë, shumë syresh mendojnë se Izraeli nuk do ta pranojë këtë.

Shumica e të anketuarve vazhdojnë të besojnë se Irani po përpiqet të sigurojë armë të shkatërrimit në masë. Por tani arabët besojnë se Irani ka të drejtë të zhvillojë programin e vet bërthamor dhe nuk duhet t’i bëhet trysni që ta ndërpresë atë. Më shumë se gjysma thonë se pajisja e Iranit me armë bërthamore do të ishte pozitive për Lindjen e Mesme. Profesor Telhami thotë se arabët nuk mendojnë se Irani do t’i përdorte armët. Ai thotë se reagimi arab pasqyron mllefin ndaj politikave amerikane.

“Kur janë optimistë për politikën e jashtme amerikane, ata janë më të ashpër ndaj Iranit. Andaj, para një viti, më 2009, kur shumica ishin optimistë rreth politikave amerikane për Lindjen e Mesme, vetëm 29 përqind thanë se sigurimi i armëve bërthamore nga Irani do të ishte pozitiv për Lindjen e Mesme. Sivjet, kur dy të tretat janë pesimistë për politikën e jashtme amerikane, është rritur përqindja e atyre që thonë se do të ishte më mirë që Irani të ketë armë bërthamore.” - thotë ai

Anketa gjithashtu analizoi përdorimin e internetit dhe shikueshmërinë e programeve televizive. Përdorimi i internetit ka vazhduar të zgjerohet.

Shumica e njerëzve thanë se ndjekin disa burime lajmesh televizive dhe rrjeti “Al Jazeera” ishte zgjidhja e tyre e parë. Më shumë se gjysma thanë se shikojnë gati përditë filma dhe spote muzikore amerikane dhe evropiane.

XS
SM
MD
LG