Lidhje

Përkujtohet 65 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës


Përkujtohet 65 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës
Përkujtohet 65 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës

Një grup historianësh përkujtuan 65 vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Postribës. Konferenca shkencore u organizua nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe pasojave të Diktaturës. Studiuesit thanë se kjo ishte levizja e parë antikomuniste pas luftës së dytë botërore në të gjithë Europën.

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizoi sot në Muzeun Historik në Tiranë një konferencë shkencore për kryengritjen antikomuniste të Postribës. Historianë dhe folës të tjerë përshkruan me dokumente e kujtime ngjarjen e 9 shtatorit 1946, kur mbi një mijë nacionalistë shqiptarë të organizuar nga Jup Kazazi vendosën të shpërthejnë kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në të gjithë Europën e kampit socialist.

Historiani Uran Butka tha se “kryengritësit e mbledhur rreth Jup dhe Zenel Kazazit, Osman Haxhisë, Dulo Kalit, Cin e Gjon Serreqit, Rasim Gjyrezit, Pjetër e Kolë Dedës ishin të gjithë patriotë shqiptarë që po ashtu si antikomunistë kishin qenë edhe antifashistë dhe antinazistë, sepse ëndërronin që Shqipëria të zhvillonte demokracinë dhe të mos binte nën thundrën e diktaturave”.

Krahas nacionalistëve banorë të qytetit të Shkodrës, fshatrat që morën pjesë me më shumë luftëtarë ishin Postriba, Zadrima, Obliku, Guri i Zi, Ana e Malit dhe shumë të tjerë më të vegjël. Plani i kryengritësve ishte që të merrnin nën kontroll prefekturën e Shkodrës, kazermat dhe komandën e ushtrisë aty dhe të lironin mbi 2 mijë antikomunistë nga burgu i qytetit dhe nga burgje më të vogla që shërbenin për hetuesi dhe tortura.

Folësit kujtuan se Jup Kazazi, truri i kryengritjes antikomuniste të Postribës në 1946, udhëhoqi disa vite më parë forcat anti-italiane në Luftën e Reçit. Sipas zotit Mërgim Korça, një bashkëkohës i protagonistëve të kryengritjes, “këta nacionalistë u përpoqën të pengonin instalimin e diktaturave fashiste e komuniste, sepse donin demokracinë”. Ai tha se “shqiptarët i rezistuan diktaturës komuniste më tepër se sa një dekadë, që kur morën pushtetin me dhunë dhe vrasje në 1944”. Ndërsa dr.Pjetër Pepa u bëri thirrje historianëve, shumë prej të cilëve kanë hartuar librat e propagandës diktatoriale të Enver Hoxhës, që të kthjenë kokën pas dhe të vlerësojnë këto ngjarje të fuqishme antikomuniste që e nderojnë popullin shqiptar, i cili e do lirinë dhe luftoi për demokraci edhe në kushtet më të rënda të masakrave.

Diktatura komuniste vra pa gjyq dhe burgoi dhjetëra mijëra kundërshtarë politikë të saj, duke shuar me dhunë, tortura dhe persekutime të pashembullta çdo përpjekje për demokraci. Kujtimi i 65 vjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës është, sipas organizatorëve, një rast për të hedhur dritë mbi ngjarjet e përgjakshme të diktaturës, për të nderuar antikomunistët dhe demokratët e parë, dhe për t’u treguar brezave të rinj të vërtetën mbi sakrificat që kanë bërë shqiptarët për liri.

XS
SM
MD
LG