Lidhje

Përparimet në trajtimin dhe parandalimin e SIDA-s


Klinika "Whitman Walker", Uashington DC

Më 1 dhjetor shënohet Dita Botërore kundër SIDA-s dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po nxit një fushatë në favor të sigurimit universal shëndetësor për të ndihmuar 36.7 milionë persona në mbarë botën që jetojnë me virusin HIV. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Gabrielle Weiss, paraqet këtë pasqyrë të përpjekjeve të klinikës “Whitman Walker Health”, këtu në Uashington DC, nëpërmjet rrëfimeve edhe të vetë pacientëve të saj.

“Të jesh zezak dhe me virusin HIV në Uashington DC nuk ka qenë e lehtë. Historia ime fillon këtu në klinikën ‘Whitman Walker’. Më 13 korrik të vitit 1990 u diagnostikova me virusin HIV. Mbaj mend që doktori më tha se ndoshta do të jetoja deri në 50 vjeç, por se nuk do t’i arrija të ’60-tat. Shumë nga miqtë e mi të dashur tashmë kanë vdekur. Kështu që i kam parë të këqijat dhe dëshpërimin e virusit HIV. E dija se do të ndjehesha relativisht komod në këtë klinikë, ku nuk do të stigmatizohesha për preferencat e mia seksuale”, thotë Tony Burns, pacient i klinikës “Whitman Walker”.

“Nga një klinikë e vogël në katin nëntokë të një kishe, klinika filloi t’i përgjigjej krizës së virusit HIV duke ndihmuar njerëzit që ishin refuzuar diku tjetër. Tashmë kemi edhe përgjegjësinë e rëndësishme për të nderuar ata që nuk janë më sot mes nesh”, thotë Megan Coleman, drejtoreve e studimeve të komunitetit.

“Fillova të vij në këtë klinikë rreth 2 vite më parë, pasi dëshiroja të isha diku ku do të ndjehesha komod si një i ri, si një individ LGBT. Jam diagnostikuar me virusin HIV 6 vite më parë, ndërsa virusi ishte i pagjurmueshëm edhe 6 vite të tjera para kësaj”, thotë Derrick “Strawberry” Cox, pacient i klinikës “Whitman Walker”.

“Përparime mahnitëse janë bërë në ofrimin e kujdesit mjekësor për pacientët me virusin HIV. Kishim më pak ilaçe 20 apo 25 vjet më parë. Kjo dëshmon rëndësinë e punës kërkimore dhe të mbështetjes së qeverisë dhe institucioneve për zhvillimin e ilaçeve të reja. Sot kemi pilula që pacientët mund t’i marrin çdo ditë, me shumë pak përbërës toksikë apo efekte anësore. Ata munden të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe normale si çdo njeri tjetër”, thotë zonja Coleman.

“Marr një ilaç që quhet ‘Genvoya’ çdo natë para se të fle. Është si një vitaminë”, thotë zoti Cox.

“Kam qenë ndër të parët që morën ilaçin fillestar kundër HIV, që quhej AZT. Nuk ishte shumë i rafinuar shkencërisht dhe shumë njerëz sëmureshin ngaqë nuk e toleronin dot. Sot është shumë më mirë. Të rinjtë mund të marrin vetëm një ilaç në ditë. Është një mrekulli. Tani po bëhet realitet edhe mundësia e eliminimit të virusit HIV”, thotë zoti Burns.

“Nuk është më një sëmundje aq e keqe, në kuptimin që mund të jetosh me të. Dhe nëse bashkohemi kundër negativitetit dhe stigmës, më shumë njerëz do të testohen dhe do të mundemi vërtet ta zhdukim këtë epidemi”, thotë zoti Cox.

“Në vitin 2017 ka rëndësi që njerëzit ta dinë se virusi HIV është ende rrotull nesh dhe se ka nevojë për vëmendje, burime dhe mbështetje. Mund të ndryshojmë perceptimin rreth sëmundjes, si diçka që përballohet duke marrë një ilaç të përditshëm. Mundemi ta ulim nivelin e virusit dhe të parandalojmë transmetimin tek të tjerët. Mund të zhvillohet dialog rreth kuptimit të dashurisë dhe intimitetit në vitin 2017. Kjo është rëndësia e Ditës Botërore kundër SIDA-s – të zhvilluarit të një dialogu të hapur dhe të sinqertë që do të ulë paragjykimet”, thotë zonja Coleman.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG