Lidhje

Përvjetori i parë i protestës së dhunshme të Sharlotsvilit


Përvjetori i parë i protestës së dhunshme të grupit “Bashkoni të Djathtën”, në Sharlotsvil të Virxhinias po afron. Në gusht të vitit 2017, protesta e shoqëruar me parulla raciste dhe simbole naziste shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e 19 të tjerëve. Këtë viti, supremacistët e bardhë po planifikojnë një protestë të dytë për të shënuar këtë ngjarje, këtë radhë në Uashington.

Mark Newton, i gazetës kryesore të Sharlotsvilit, “The Daily Progress”, po mbulonte protestën e 12 gushtit të vitit të kaluar. Policia e qytetit, ajo shtetërore dhe Garda Kombëtare ishin të pranishme në statujën ikonë të Gjeneralit të forcave të konfederatës, Robert E. Lee, epiqendra e protestës.

Zyrtarisht, nacionalistët e të djathtës ekstreme ishin mbledhur për të protestuar kundër heqjes së kësaj statuje. Protesta pati një përfundim tragjik. Një makinë shtypi protestuesit antifashistë, duke vrarë aktivisten Heather Heyer dhe duke plagosur shumë të tjerë.

Me një fotografi nga protesta, gazetari i “The Daily Progress”, Ryan Kelly fitoi çmimin Pulitzer.

“Çdo gjë kishte ngrirë dhe ishte në një pozitë të përkryer. Ishte momenti i përkryer në mes të kaosit”, thotë Mark Newton për fotografinë.

3 Disa ditë pas protestës tragjike, autoritetet mbuluan statujën me një qese të zezë plastike, por sot statuja vazhdon të jetë aty. Mgjithatë, janë bërë disa ndryshime, pothuajse gjithë administrata e qytetit të Sharlotsvilit tani është e re. Kryetarja e Bashkisë, Nikuyah Walker u bë simbol i ndryshimit. Ajo është kryebashkiakja e parë afrikano-amerikane e këtij qyteti.

“Unë jam një nga ata njerëz që po përpiqeshin të mbijetonin në rrugë atë ditë. Nuk kuptoja se pse policia e qytetit, ajo shtetërore dhe Garda Kombëtare qëndronte rreth nesh dhe lejonte viktimizimin tonë”, thotë ajo.

Jason Kessler, organizatori i protestës “Bashkoni të Djathtën” nuk mori miratimin nga administrata e qytetit për të zhvilluar protestë në Sharlotsvil këtë vit. Ai e apeloi vendimin në një gjykatë federale, por pastaj hoqi dorë. Autoritetet lokale mendojnë se ky është një veprim i dyshimtë dhe janë përgatitur për “skenarin më të keq”.

“Shërimi i plagëve kërkon sinqeritet, prandaj ne duhet të jemi të sinqertë rreth faktit se bëhet fjalë për dy qytetarë tanë, dy ish studentë të Universitetit të Virxhinias. Ne duhet të ngrejmë pyetjen se çfarë po mësojnë ata në universitetin e themeluar nga (ish Presidenti) Thomas Jefferson? Kjo duhet të jetë pjesë e debatit që ne duhet të zhvillojmë”, thotë kryebashkiakja Walker.

Studenti i Universitetit të Virxhinias, Tanner Hirschfeld thotë se ngjarjet e Sharlotsvilit bënë që të gjithë të shpreheshin në mënyrë të njejtë për këtë, gjatë gjithë vitit studentët kanë diskutuar për protestën dhe për statujën e gjeneralit Robert E. Lee.

“Asnjëri nuk është krenar me atë që ka ndodhur. Por, unë nuk mendoj se universiteti duhet të jetë përgjegjës për të gjithë ish studentët e tij. Mendoj se kjo është një çështje e shprehjes së pikëpamjeve. Ato janë pikëpamje ekstreme dhe kjo urrejtje nuk është e mirëseardhur këtu”.

Universiteti i Virxhinias do të reduktojë hyrjen në mjediset e tij në datat 11 dhe 12 gusht sepse administrata e tij po përpiqet të shmangë protestat e mundshme.

“Ne do të jemi më të përgatitur sepse herën e parë qyteti i Sharlotsvilit nuk kishte përvojë, pasi kurrë më parë nuk ishte përballur me një gjë të tillë. Vendi nuk kishte parë një ngjarje të tillë. Plus, do të ketë më shumë njerëz që janë kundër ekstremit të djathtë sepse shumë prej tyre tani janë në burg ose në arrati”, thotë Bob Fenwick, ish anëtar i këshillit të bashkisë së Sharlotsvilit.

Ndërkohë, Jason Kessler ka në plan të organizojë një protestë për të shënuar përvjetorin e parë. Këtë radhë protesta do të mbahet në kryeqytetin e vendit, Uashington, para Shtëpisë së Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG