Lidhje

Pheniani, të evakuohen ambasadat


Koreja e Veriut po i bën thirrje ambasadave të huaja që të shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të personelit të ambasadës për shkak të tensioneve në rritje në gadishullin korean.

Rusia dhe Britania konfirmuan që e kishin marrë kërkesën sot nga Pheniani për të tërhequr personelin e ambasadës, por shtuan se nuk kanë plane për evakuim. Një zyrtar në ambasadën ruse tha se situata në Phenian është e qetë aktualisht.

Edhe Britania tha se Koreja e Veriut i paralajmëroi ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare në vend se nuk mund të garantojë sigurinë e tyre pas 10 prillit në rast të ndonjë konflikti.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia po konsultohet me Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të tjerë të bisedimeve të bllokuara gjashtëpalëshe për Korenë e Veriut, lidhur me këto kërcënime.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha sot se është jashtëzakonisht i alarmuar nga
tensionet në rritje në gadishullin korean.

Koreja e Veriut ka bërë një sërë kërcënimesh javët e fundit kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, përfshirë kërcënimin për një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG