Lidhje

Pica për votuesit amerikanë


Picat u shpërndahen votuesve të hershëm që presin në radhë të gjata në Nju Jork (24 tetor 2020)

Qendra të ndryshme votimesh në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar pjesëmarrje të lartë dhe rradhë të gjata votuesish, për ata që votojnë para ditës së zgjedhjeve. Një organizatë joqeveritare e quajtur Pica në Qendra Votimi po bën sa mundet për të ndihmuar që procesi të ecë sa më mirë.

Scott Duncombe, informaticien me banim në Portland të shtetit Oregon ka një mision të rëndësishëm në këtë sezon zgjedhjesh: ai nuk do të lejojë që votuesit të jenë të uritur kur presin për një kohë të gjatë në radhë për të votuar. Së bashku me miqtë, Katie dhe Noah, zoti Duncombe ka krijuar organizatën Pica në Qendra Votimi që shpërndan pica falas për ata që presin për të votuar.

Së bashku me disa miq po shihnim si po ecnin votimet e hershme në 2016 dhe na ranë në sy radhët e gjata. Kishim para të mbetura nga një projekt tjetër që lidhej me zgjedhjet dhe menduam që t’i përdornim për t’u shpërndarë njerëzve pica. Njerëzit që prisnin në radhë ishin shumë të kënaqur. Kështu filloi ky projekt,” tregon Scott Duncombe.

Si shumë ide të thjeshta, por shumë origjinale, edhe kjo fitoi menjëherë popullaritet. Gjatë sezonit zgjedhor të vitit 2016, zoti Duncombe dhe miqtë e tij grumbulluan donacione me vlerë 40 mijë dollarë që i përdorën për të shpërndarë pica falas në 24 shtete. Gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në 2018, ata morën porosi nga 41 shtete dhe deri tani kanë shpërndarë 10 mijë pica në 611 qendra votimi.

Nuk dija gjë për këtë organizatë deri ditën kur ushqyen motrën dhe vëllain që prisnin për të votuar në Çikago. Dhurova menjëherë para. Sa ide fantastike! Vetëm vazhdoni!” komenton një dhurues që mbështet projektin.

Komunikimi me votuesit bëhet përmes Twitterit. Njerëzit postojnë fotografi të radhëve të gjata në llogarinë e organizatës dhe vënë edhe adresën e qendrës së votimit. Menjëherë vullnetarët e organizatës bëjnë porosi në piceritë lokale dhe i dërgojnë picat në qendrat e votimit. Zoti Duncombe thotë se pasi menduan disa variante, vendosën se pica ishte zgjidhja më e mirë.

Së pari, thuajse në çdo komunitet në Amerikë, nga Nju Jorku në Dakotën e Veriut, ka piceri. Në të gjitha shtetet që operojmë kemi gjetur piceri që pranojnë porosi online. Kjo na ka ndihmuar shumë. Po ashtu, në periudhën e zgjedhjeve në nëntor, kur zakonisht bën ftohtë, pica është e ngrohtë”, thotë ai.

Në këtë periudhë pandemie mund të mos jetë e këshillueshme të ndash ushqimin me të tjerët. Por Scott Duncombe thotë se organizata e tij i shpërndan picat pa kontakt fizik me votuesit:

I lëmë picat larg turmës ku njerëzit vijnë një nga një për t’i marrë. Nuk i afrohemi radhës me njerëz sepse është e palejueshme”.

Në ditën e zgjedhjeve më 3 nëntor, Scott Duncombe do të ketë qindra vullnetarë në të gjithë vendin për ta ndihmuar. Secili prej tyre i nxitur nga dëshira që askush të mos ndjehet i uritur kur pret për një kohë të gjatë për të hedhur votën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG