Lidhje

Piktori Ilir Pojani, mes Tiranës dhe Uashingtonit


Piktori shqiptaro-amerikan Ilir Pojani hapi në Tiranë një ekspozitë me veprat e tij më të fundit.

Ai jeton prej 20 vjetësh në Uashington dhe është kthyer në Tiranë me një ekspozitë të re, e cila është pritur mjaft mirë nga ish kolegë të tij dhe artdashës.

Ilir Pojani thotë se çdo vepër e tij është shqiptare, pavarësisht vendit ku krijohet.

Ilir Pojani është një nga piktorët më të mirë të Shqipërisë. Ai ishte ndër të parët që theu rregullat e ngurta të realizmit socialist, që u imponuan në arte nga diktatura komuniste.

Pojani iku nga Tirana drejt Uashingtonit 20 vjet më parë në kulmin e krijimtarisë së tij kur ishte një nga pedagogët dhe një nga piktorët më tërheqës të viteve 90 në Akademinë e Arteve dhe në qarqet artistike të vendit.

Ai ishte për disa vjet pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, dhe thotë se puna me studentët ishte periudha më e bukur e jetës.

Veprat e tij të para ranë menjëherë në sy për abstraksionet e mistershme dhe frymën impresioniste me motive të spikatura lirie dhe meditime mbi jetën dhe fatin e individit të sapoliruar nga prangat.

Pojani e shfaqi ekspozitën e tij të parë në Tiranë në vitin 1993, 25 vjet më parë, ndërsa sot është kthyer me ekspozitën e tij të dytë me titull “Të zbulosh të padukshmen”.

Veprat përshkohen nga frymëzimi prej artit klasik dhe madhështia e tij, duke lënë mënjanë abstraksionet.

Autori fton ndjekësit e tij të kthejnë vëmendjen tek arti i madh klasik botëror, ashtu si Rilindja europiane iu kthye me vendosmëri arteve klasike të antikitetit.

Kuratori i kësaj ekspozite të Pojanit është një ish student i tij, Ardian Isufi, i cili tani është pedagog dhe drejtues në fakultetin e arteve të bukura.

Galeria Kalo e ka mbështetur plot siguri artistin Ilir Pojani ashtu si ka bërë për shumë vite me të dhe me shumë artistë të tjerë të rinj e më të vjetër. Sallat e saj janë pjesa më e mirë e botës artistike shqiptare.

Ato janë edhe një ftesë e përhershme për Pojanin, që të kthehet vazhdimisht me ekspozita në vendin e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG