Lidhje

Plazhi i Durrësit, investime dhe probleme


Bashkia ka bërë punën kryesore me kujdesin shëndetsor dhe rregullimin e kanalizimeve

Plazhi i Durrësit i pret sivjet turistët vendas dhe të huaj me kushte të përmirësuara, megjithëse nuk janë zgjidhur gjithë problemet. Bashkia ka bërë punën kryesore me kujdesin shëndetsor dhe rregullimin e kanalizimeve. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, thotë se kushtet e plazhit po përmirësohen nga viti në vit. “Ne kemi bërë gjithçka brenda mundësive tona që turistët të gjejnë një det dhe rërë të pastër, por këshilli bashkiak nuk na ka lejuar që të zhvillojmë projektet kulturore për muzikë, koncerte dhe prjektime filmash. Shpresoj ta gjejmë mirëkuptimin këto ditë”, tha ai.

Qysh në qershor kanë ardhur në plazhin e Durrësit turistë nga Gjermania. Danieli është një nga turistët e pakët që njeh dhe flet gjuhën shqipe, sepse ka ardhur edhe herë të tjera. Ai propozon edhe disa rregullime të tjera për trafikun dhe autobusët.

“Rëra duhet të pastrohet më shumë dhe të mirëmbahet nga njerëzit. Durrësi ka shumë histori dhe muzeume. Trafiku i makinave është shumë i rrezikshëm dhe nevojiten më shumë semaforë. Bashkia duhet të rregullojë oraret e autobusëve që njerëzit të qarkullojnë më lehtë, sepse është shumë e vështirë të shkosh nga një zonë e qytetit në një tjetër”, thotë ai.



Elka është një tjetër pushuese që e ka nisur plazhin herët. Ajo është banore e Durrësit dhe vlerëson si rrregullimet edhe problemet. “Rrugët janë rregulluar më mirë dhe pastërtia po shtohet. Bashkia dhe vetë qytetarët duhet të mbrojnë territorin dhe të mos ndotin detin dhe rërën. Pastaj në mbrëmje nuk ke ku vete. Durrësi nuk ka asnjë kinema”, thotë Elka, një pushuese duursake.

Shumica e punëve të turizmit kryhen nga operatorë privatë dhe bashkëpunojë ngushtë me bashkinë. Privatët bëjnë maksimumin për pastrimin e zonës dhe kujdesin nga turistëve. Shqipëria po përpiqet të shtojë shërbimet turistike vitet e fundit, duke tërhequr përherë e më shumë vizitorë nga Mesdheu. Vetëm dekadën e fundit në Shqipëri po flitet dhe punohet seriozisht për turizmin pas gjysëm shekulli izolimi të diktaturës komuniste. Institucionet shtetërore dhe private nuk kanë përvojën dhe infrastrukturat e nevojshme, të cilat po plotësohen gradualisht.
XS
SM
MD
LG