Lidhje

Poloni – Izrael, përplasje për kampet naziste të vdekjes


Polonia po miraton një ligj që do ta bënte të dënueshme çdo deklaratë për ndonjë përgjegjësi të Polonisë për krimet ndaj njerëzimit të kryera në territorin e saj nga Gjermania naziste. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij nuk do të tolerojë “shtrembërimin e të vërtetës, rishkrimin e historisë dhe mohimin e holokaustit”.

Zoti Netanyahu foli kundër një projektligji në Poloni që do të ndëshkojë me gjoba dhe burgim personat që do t’i referohen gjenocidit nazist ndaj hebrenjve si krim polak, apo kampeve naziste të vdekjes si kampe polake të vdekjes.

Ministria e Jashtme e Izraelit thiri ambasadorin polak për të transmetuar kundërshtimin e saj. Ndërsa në Poloni, një përfaqësues i zyrës së Presidentit polak do të takohej sot me ambasadorin e Izraelit.

“E vërteta është se shumë vende, ndër ta edhe shumë polakë u angazhuan në ndihmë të nazistëve që vrisnin hebrenjtë; disa duke ua dorëzuar nazistëve, të tjerë duke i vrarë vetë. Realiteti megjithatë është se kampet e përqëndrimit dhe shfarosjes u iniciuan, projektuan dhe u drejtuan nga gjermanët në tokë polake. Terminologjia e duhur është kampe gjermane të shfarosjes në tokë polake, dhe jo kampe shfarosëse polake”, thotë ministri izraelit i arsimit, Naftali Bennett.

Disa ekspertë mendojnë se ky ligj i ri mund të ndëshkojë me burg edhe të mbijetuarit e holokaustit që rrëfejnë historitë e tyre.

Popullsia hebreje në Poloni ishin ndër më vitalet në botë, përpara pushtimit të Gjermanisë naziste në vitin 1939. Rreth 3 milionë hebrej u vranë në kampet e vdekjes të ngritura në Poloni. Emrat e disa prej këtyre kampeve, si Aushvici apo Treblinka, përmenden edhe sot me hidhërim.

Polonia e konsideron veten si një ndër viktimat e terrorit nazist dhe nuk pranon të fajësohet për krime që thotë se u kryen nga Hitleri dhe ithtarët e tij.

Duke pranuar ndjeshmërinë tepër të lartë të këtij projektligji, Presidenti polak Andrzej Duda premtoi se do ta analizojë me shumë kujdes përpara se ta nënshkruajë. Ligji duhet të miratohet fillimisht edhe nga senati i Polonisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG