Lidhje

Policia greke sekuestron rreth 1.2 ton kokainë; ndër të arrestuarit janë 6 shtetas shqiptarë


Policia greke tha se shkatërroi një organizatë kriminale të trafikut të drogës duke arrestuar 8 persona, mes të cilëve 6 nga Shqipëria, dhe duke sekuestruar një sasi prej rreth 1,2 ton kokainë. Operacioni u krye mëngjesin e së shtunës në zonën e Mesologjit ku u zbuluan kontenierët me kokainë në një anije që ishte ankoruar në një port privat.

Drejtori i policisë së Atikës, Petro Xhaferis, deklaroi se hetimet lidhur me këtë organizatë kishin nisur prej 6 muajsh, mbi bazë të informacioneve të marra nga autoritetet amerikane. Informacionet pohonin se një sasi e madhe droge do të nisej nga Republika Domenikane me destinacion Greqinë dhe në vazhdim do të shpërndahej në Shqipëri dhe Spanjë. Policia greke tha se lidhur me operacionin kishte pasur bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e DEA në Ambasadën Amerikane në Athinë dhe autoritetet e policisë shqiptare dhe spanjolle.

Policia greke ka publikuar emrat e 6 të arrestuarve shqiptarë: Ergon Tusi, Sandër Pema, Arbër Përdeda, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi. Ndërkohë u njoftua se pjesë e organizatës janë edhe shtetas të tjerë nga disa vende.

Vlera e kokainës së sekuestruar arrin në mbi 60 milionë dollarë, ndërkohë që është bllokuar edhe një sasi monetare, 3 pistoleta, 1 kallashnikov, 5 autovetura dhe 19 celularë. Drejtori i policisë greke të Atikës Petros Xhaferis tha se hetimet do të vazhdojnë, ndërsa priten edhe arrestime të tjera në Greqi, Shqipëri dhe Spanjë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG