Lidhje

SHBA: Politika e imigracionit


Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të hënën për të hedhur poshtë pjesën më të madhe të ligjit të diskutueshëm të Arizonës për imigracionin, praktikisht garanton se imigracioni do të jetë një çështje e rëndësishme në fushatën presidenciale të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone në Uashington shqyrton ndikimin politik të vendimit të Gjykatës së Lartë.

Pjesa më e madhe e ligjit të Arizonës që vë në shënjestër imigrantët e paligjshëm u rrëzua, përfshirë edhe një dispozitë që lejonte policinë të arrestonte pa urdhër qytetarë të huaj të dyshuar të paligjshëm në atë shtet.

Por Gjykata e Lartë lejoi të mbetet në fuqi pjesa më e debatueshme e ligjit. Ky nen parashikon që policia lokale të kontrollojë statusin e imigracionit të njerëzve të ndaluar për asrye të tjera, në se ka dyshime të arsyeshme se personi është në Shtetet e Bashkuara ilegalisht. Kritikët thonë se kjo pjesë e ligjit mund të çojë në profilizim racor.

Shumë aktivistë të imigracionit e shohin vendimin e Gjykatës së Lartë si një fitore me ndikim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Eliseo Medina është me Sindikatën Ndërkombëtare të Punonjësve të Shërbimeve këtu në Uashington.

“Gjykata e Lartë tha fjalën e saj sot. Më 6 nëntor, hispanikët do të thonë fjalën e fundit. Ne në fakt do të themi se ky ligj është i gabuar. Ai do të shfuqizohet nga forca e votës sonë.”

Në prag të vendimit, Presidenti Barack Obama nxorri një deklaratë ku i bënte thirrje Kongresit të miratojë një reformë bashkëkohore të imigracionit. Kundërshtari i tij i pritshëm republican në nëntor, ish guvernatori i Massachusetts Mitt Romney, nxorri një deklaratë ku e akuzonte presidentin se ka dështuar të zgjidhë cështjen e imigracionit.

Të dyja palët e debatit pretenduan fitore me vendimin e gjykatës, dhe analistët thonë se kjo mund të frymëzojë aktivistët në mbarë spektrin politik përpara zgjedhjeve. Por profesori i shkencave politike në Universitetin e Virxhinias Larry Sabato thotë se kritikët e ligjit të Arizonës kanë më shumë arsye për të festuar sesa përkrahësit e këtij ligji.

“Të dyja palët po festojnë. Por nëse sheh vendimin, Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin e qeverisë federale në pjesën më të madhe sesa atë të Arizonës.”

Anketuesi në Universitetin Quinnipiac Peter Brown thotë se vendimi i gjykatës do të ketë ndikime afat-shkurtra dhe afat-gjata.

“Vendimi i Gjykatës së lartë e mban çështjen e imigracionit në qendër të debatit politik. Në aspektin afatgjatë, kjo do të thotë se ka të ngjarë se një numër apo shumë legjislatura shtetërore do të vendosin ligje të ngjashme, të paktën ato nene që janë miratuar nga Gjykata e Lartë.”

Pesë shtete të tjera kanë miratuar ligje të ngjashme me atë të Arizonës dhe ishin në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë. Ligji i Arizonës shkoi para Gjykatës së Lartë pas një sfide që i bëri ligjit administrata Obama në një gjykatë të një shkalle më të ulët. Analisti Sabato thotë se kjo duhet të ndihmojë presidentin me votuesit hispanikë në nëntor.

“Kjo ishte një çështje që hispanikët dhe latinot po i kushtonin vëmendje të veçantë, dhe ky është një segment i elektoratit ku presidenti po ecën mirë në mos më mirë nga katër vjet të shkuara. Pra është një lloj vendimi që ka ndikim për votimin në vjeshtë.”

Me ekonominë e dobët, analisti Charlie Cook thotë se presidenti duhet ta balancojë mbështetjen e tij mes votuesve hispanik këtë vit, në se do të fitojë një mandat të dytë.

“Presidenti morri 67 përqind të votës së hispanikëve në zgjedhjet e kaluara. Në disa anketa që kam parë kohët e fundit ai e ka përpëri këtë mbështetje në se ata votojnë. Por ka disa sinjale shumë paralajmëruese në anketa se ndërsa po të votojnë ata do ta hedhin votën për Obamën mungon entuziazmi rreth këtyre zgjedhjeve dhe ata mund të mos dalin të votojnë.”

Expertët thonë se presidenti mund t’i ketë shtuar shanset e tij për mbështetjen e hispanikëve kohët e fundit kur urdhëroi t’i jepet fund deportimit të qindra mijëra të rinjve imigrantë të paligjshëm që u sollën në këtë vend nga prindërit e tyre.
XS
SM
MD
LG