Lidhje

Sekretari Pompeo viziton Kabulin


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo bëri të hënën një vizitë të shkurtër në Kabul, ku premtoi mbështetje ndaj përpjekjeve të Presidentit Ashraf Ghani për të hapur bisedimet me talebanët dhe përsëriti gatishmërinë e Uashingtonit për të lehtësuar procesin e paqes të udhëhequr nga vetë afganët.

Zoti Pompeo bëri një ndalesë të panjoftuar në kryeqytetin afgan, ku u takua me Presidentin Ghani, para se të jepnin një konferencë të përbashkët për shtyp. Ata pohuan se strategjia rajonale e presidentit Donald Trump për të ruajtur presionin ushtarak mbi talebanët "vërtet po jep fryte”.

Strategjia që Presidenti Trump njoftoi gushtin e kaluar, synon të bindë talebanët nëpërmjet presionit diplomatik, ushtarak dhe social se nuk mund të fitojnë në fushën e betejës dhe se duhet të angazhohen në bisedimet e pajtimit me Kabulin.

Por talebanët kërkojnë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara dhe i akuzojnë udhëheqësit në Kabul si "vegla amerikane", duke këmbëngulur se bisedimet ndër-afgane nën praninë e forcave të huaja të "pushtimit" do të ishin "pa kuptim".

Pompeo dhe Ghani theksuan se procesi i paqes duhet të jetë "i udhëhequr nga afganët dhe nën kontrollin afgan”.

Sekretari i Shtetit nuk e hodhi poshtë kërkesën e talebanëve për bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta drejtojnë procesin dhe se konflikti nuk mund të vendoset nga jashtë vendit.

Kryengritësit kanë intensifikuar sulmet që nga përfundimi i armëpushimit të tyre të shkurtër, duke u shkaktuar viktima të shumta forcave qeveritare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG