Lidhje

Ndryshon qëndrimi amerikan për vendbanimet hebraike


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftoi të hënën se SHBA po e zbutin qëndrimin e tyre për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, një tjetër hap i administratës Trump që dobëson pretendimin palestinez për shtetësinë.

Zoti Pompeo hodhi poshtë një opinion juridik të Departamentit të Shtetit të vitit 1978, sipas të cilit vendbanimet civile në territoret e pushtuara janë ''në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.'' Ky hap i zemëroi palestinezët dhe i vë tani Shtetet e Bashkuara kundër vendeve të tjera që punojnë për t'i dhënë fund konfliktit.

Administrata Trump e shikon këtë opinion, që është baza për kundërshtimin e hershëm të Shteteve të Bashkuara ndaj zgjerimit të vendbanimeve, si një shpërqendrim dhe thotë se çdo pyetje ligjore mbi këtë çështje duhet të zgjidhet nga gjykatat izraelite, tha sekretari Pompeo.

“Duke e quajtur ngritjen e vendbanimeve civile si diçka në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk e ka çuar përpara çështjen e paqes,” tha zoti Pompeo. “E vërteta e ashpër është se kurrë nuk do të ketë një zgjidhje gjyqësore të konfliktit, dhe argumentet se kush ka të drejtë dhe kush jo, si çështje e së drejtës ndërkombëtare, nuk do të sjellin paqe,” tha ai.

Hapat e SHBA që kanë dobësuar përpjekjet palestineze për të arritur shtetësinë, kanë përfshirë gjithashtu vendimin e Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, lëvizjen e Ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe mbylljen e zyrës diplomatike palestineze në Uashington.

Zëdhënësi i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas, Nabil Abu Rdeneh, e dënoi njoftimin e zotit Pompeo dhe tha se vendbanimet hebraike janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. “Administrata e SHBA ka humbur besueshmërinë për të luajtur ndonjë rol të ardhshëm në procesin e paqes,” tha ai.

Edhe pse vendimi është më tepër simbolik, ai mund të shërbejë si një mbështetje për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili po lufton për mbijetesë politike pasi nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të fundit.

Për më tepër, kjo mund t’i shkaktojë probleme të mëtejshme planit të premtuar të administratës, i cili nuk ka gjasa të grumbullojë shumë mbështetje ndërkombëtare me miratimin e një politike në kundërshtim me konsensusin global.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG