Lidhje

Pompeo, dita e parë e bisedimeve në Korenë e Veriut


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i dha fund të premten ditës së parë të bisedimeve dy ditëshe në Korenë e Veriut lidhur me çmontimin e programit të armëve bërthamore të Penianit.

Takimet vijnë ndërkohë që sipas njoftimeve, zbulimi amerikan vlerëson se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vazhdon të zhvillojë infrastrukturën për programin e tij bërthamor. Bisedimet rifillojnë të shtunën.

Zoti Pompeo është ngarkuar nga Presidenti Donald Trump për të mbikqyrur npse Kim po mban premtimin e bërë në samitin e muajit të kaluar në Singapor për çnuklearizimin e Gadishullit Korean. Kryediplomati i SHBA u takua të premten me zyrtarin e lartë të partisë në pushtet dhe ish shefin e inteligjencës Kim Yong Chol. Kjo është vizita e tretë e zotit Pompeo këtë vit në Korenë e Veriut.

Në marrëveshjen e Singaporit, e cila u vëzhgua nga shumë afër, Kim pranoi të punojë për çnuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por nuk u dhanë hollësi se si dhe kur mund të realizohej kjo. Zoti Pompeo shpreson të nxisë Korenë e Veriut për të punuar drejt një afati kohor për t'i dhënë fund programit të saj bërthamor dhe të paraqesë hollësi se si mund të kryhet verifikimi.

Por, agjencitë amerikane të lajmeve ditët e fundit kanë publikuar fotografi të asaj që duket të jetë një zgjerim i objekteve bërthamore në Korenë e Veriut.

Presidenti Trump, megjithatë, ka vazhduar të reklamojë rezultatet e samitit, edhe përballë skepticizmit të disa ligjvënësve amerikanë.

Një ditë pas samitit, Trump deklaroi: "Të gjithë tani mund të ndihen shumë më të sigurt se sa ditën që unë mora detyrën. Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut".

Këtë javë, Trump tha në Twitter se administrata e tij ka pasur "shumë biseda të mira" me koreano-veriorët mbi planin e tyre për t’u çnuklearizuar dhe se "e gjithë Azia është e entuziazmuar". Ai tha, "Po të mos kisha qenë unë, tani do të ishim në Luftë me Korenë e Veriut!"

Këshilltari i sigurimit kombëtar i zotit Trump, John Bolton, thotë se Koreja e Veriut mund të eliminojë arsenalin e saj bërthamor brenda një viti, por zyrtarë të tjerë të SHBA kanë thënë se shpresojnë që kjo të mund të arrihet deri në fund të mandatit të parë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, në janar 2021.

Sung-Yoon Lee, profesor për studimet koreane në Universitetin Tufts, tha për Zërin e Amerikës se fjala çnuklearizim nënkupton gjëra të ndryshme për SHBA dhe Korenë e Veriut: për Uashingtonin ajo ka lidhje vetëm me Penianin, ndërsa Koreja e Veriut kërkon një gadishull Korean pa armë bërthamore, edhe pse nuk ka shenja që Koreja e Jugut të ketë një arsenal bërthamor.

Ai tha se marrëdhëniet midis SHBA dhe Koresë së Veriut kanë "ndryshuar dramatikisht" në favor të Koresë së Veriut gjatë disa muajve të fundit.

Lee tha se zgjerimi i infrastrukturës bërthamore të udhëheqësit Kim Jong Un, që nga samiti i Singaporit, është "pikërisht ajo që Koreja e Veriut ka bërë gjatë 25 viteve të fundit", pra premtime në këmbim të negociatave të zgjatura me shpresën e koncesioneve nga SHBA.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG