Lidhje

Pompeo nuk pranon të japë detaje për takimin Trump-Putin


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u vendos nën presionin e ligjvënësve nga të dyja krahët: republikanëve dhe demokratëve për të argumentuar politikën e jashtme të Presidentit Donald Trump. Senatorët e pyetën vazhdimisht zotin Pompeo se çfarë ndodhi gjatë takimit kokë më kokë me Presidentin rus, Vladimir Putin. Seanca e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme për sigurinë kombëtare u mbajt ndërkohë që Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidentët Trump dhe Putin nuk do të takoheshin deri vitin e ardhshëm dhe zoti Pompeo nxorri një deklaratë për Krimenë, ku thuhej se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin kurrë aneksimin e gadishullit nga Rusia.

Ishin tre orë të tensionuara për Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo të mërkurën në Kongres, duke filluar me një ligjvënës të Partisë Republikane të vetë presidentit, Kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker.

"Jeni këtu para një grupi senatorësh që kanë dyshime të shumta për këtë Shtëpi të Bardhë dhe mënyrën se si ajo bën politikë të jashtme. Ka disa arsye për t’u shqetësuar, mes së cilave mungesa e informacionit që ka dhënë kjo administratë”.

Senatori Corker tha se zoti Trump u shfaq "inferior dhe i përulur “ ndaj Presidentit Putin në takimin e Helsinkit.

Dhe atmosfera u bë edhe më e ndezur në një këmbim mes anëtarit më të lartë demokrat të komisionit, Bob Menendez dhe zotit Pompeo, pasi senatori Menendez i bëri disa pyetje për përmbajtjen e bisedës Trump-Putin.

"Jo, zoti sekretar, më falni por nuk më pëlqen karakterizimi që i bëni pyetjeve të mia. Unë pyes që të marr vesh të vërtetën. Ne nuk e dimë se cila është e vërteta. E vetmja mënyrë për ta mësuar se çfarë ndodhi ato dy orë, një kohë mjaft e gjatë për një takim kokë më kokë, është të kuptojmë të paktën nëse ju u informuat nga presidenti, dhe çfarë ju tha”.

Nga ana e tij, zoti Pompeo tha se presidenti ka të drejtën të ketë biseda private me udhëheqës botërorë dhe iu kundërpërgjigj pyetjeve se pse zoti Trump i quan sulmet ruse ndaj zgjedhjeve të vitit 2016 një “sajesë”.

"Dua që ta dini se Presidenti Trump ka thënë se e pranon përfundimin e komunitetit tonë të zbulimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Ai e ka shumë të qartë se çfarë ndodhi. Unë e di. Unë e kam informuar për mbi një vit për këtë çështje. Kjo është shumë e qartë për mua personalisht”.

Zoti Pompeo ishte drejtor i CIA-s para se të bëhej Sekretar i Shtetit. Ai mund të përballet me pyetje të tjera të vështira në Kongres, pasi Senatori Corker tha se ajo e së mërkurës do të ishte vetëm e para në një sërë seancash lidhur me politikat e zotit Trump ndaj Rusisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG