Lidhje

Mbyllet konferenca për abuzimet seksuale të priftërinjve


Papa Françesku e krahasoi abuzimin seksual të fëmijëve me sakrificën njerëzore. "Më kujton praktikat mizore fetare, dikur të përhapura në kultura të caktuara, që sakrifikonin qenie njerëzore - shpesh fëmijë - në ritet pagane", tha Papa Françesku sot duke foli në përfundim të një takimi të thirrur për të hartuar një plan për priftërinjtë që kanë abuzuar seksualisht me fëmijë dhe të rritur për dekada me rradhë.

Klerikët katolikë që abuzojnë me fëmijët janë "vegla të djallit", tha Papa Françesku në një meshë me 190 peshkopë katolikë dhe drejtues fetarë të dielën që shënoi fundin e një takimi katër-ditor për mbrojtjen e të miturve.

Gjatë meshës, Papa Françesku tha se çdo abuzim brenda Kishës do të "ballafaqohet me seriozitetin më të madh".

Duke ju drejtuar kardinalëve dhe peshkopëve në Vatikan, Papa tha se ndërgjegjësimi po rritet brenda kishës për të siguruar masa disiplinore për të luftuar abuzimin seksual ndërsa premtoi të mbrojë fëmijët nga "ujqërit grabitqarë".

Papa Françesku thirri krerët katolikë nga e gjithë bota për takimin e nivelit të lartë për të trajtuar skandalin që ka shkatërruar besueshmërinë e Kishës në Shtetet e Bashkuara - ku ka paguar miliarda dollarë për të mbyllur çështje ligjore - Irlandë, Kili, Australi dhe gjetkë gjatë tre dekadave të fundit.

Pas konferencës, Vatikani tha se do të formulojë masa pasuese për të siguruar që të gjithë peshkopët të dijnë se si të vendosin procedurat kundër abuzimit.

Por të mbijetuarit dhe analistët thonë se megjithëse takimi ishte një hap i rëndësishëm, Vatikan tani duhet të ndjekë udhëzimet e sakta për peshkopët për trajtimin e rasteve të abuzimit seksual.

Peter Isely, një nga anëtarët themelues të Përfundimit të Abuzimit të Klerikëve, një organizatë ndërkombëtare e aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe të mbijetuarve të abuzimeve, e quajti samitin sukses për të mbijetuarit.

Por ai shprehet me rezerva për mospublikimin e dokumenteve që tregojnë të vërtetën se si janë mbuluar krimet e abuzimit seksual të fëmijëve.

"Nuk dëgjuam asgjë në deklaratat e Papës rreth publikimit të dokumentave që demonstrojnë të vërtetën se si po i mbulojnë dhe i kanë mbuluar krimet e abuzimit seksual me fëmijët. Pra ka fshehtësi. Nëse ai është kundër fshehtësisë dhe mbulimit të abuzimeve, të hënën në mëngjes duhet të shohim publikimin e këtyre arkivave dhe provave kriminale."

Ndërkohë, analisti i Vatikanit Marco Politi beson se samiti ishte një hap i rëndësishëm për kishën pasi deri më sot "90 përqind e konferencave të peshkopëve në të gjithë botën nuk kanë vënë në veprim praktikat më të mira" për mbrojtjen e fëmijëve në Kisha.

“Pra, është e rëndësishme të flitet konkretisht, të thuhet se nevojiten norma, se duhet të informohen viktimat për procedurën, se procedura duhet të jetë e shpejtë dhe gjithashtu është e rëndësishme të flitet për llogaridhënien e peshkopëve. Shumë peshkopë kanë mbuluar incidentet dhe disa janë personalisht përgjegjës për abuzimet në të kaluarën e tyre”.

Papa Françesku thirri peshkopët në takimin katër-ditor për t'u theksuar se abuzimi seksual dhe mbulimi i tyre nga krerikët janë një problem global që kërcënon vetë misionin e Kishës Katolike. Megjithatë nuk janë të qarta mjetet juridike konkrete të kërkuara nga shumë besimtarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG