Lidhje

Papa Françesku në Maqedoninë e Veriut


Papa Françesku po qëndron të martën për një vizitë në Maqedoninë e Veriut, vizita e parë papale në historinë e vendit prej 2.1 milionë banorësh.

Nën masa të rrepta sigurie ai u prit fillimisht nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, dhe më pas u lut tek shtatorja e të shenjtës Nënë Tereza, nobelistes shqiptare të lindur në Shkup.

Duke ju drejtuar autoriteteve në pallatin presidencial në Shkup, Papa Françesku vlerësoi atë që ai e quajti "kryqëzim i kulturave dhe identiteteve etnike dhe fetare" të vendit me emër të ri, që mund të shërbejë si shembull për të tjerët.

"Këto veçori janë gjithashtu shumë të rëndësishme për një integrim më të madh me kombet e Evropës. Shpresoj që ky integrim të zhvillohet në një mënyrë të dobishme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me respekt të palëkundur për diversitetin dhe për të drejtat themelore", tha Papa Françesku.

Edhe para vizitës në Shkup, ai kishte shprehur besimin për thellimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresën dhe dinjitetin të varfërve”, thuhej në porosinë e Papa Françeskut, para se të arrinte në Shkup.

Të martën ai vlerësoi lartë Nënë Terezën për punën e saj për bashkimin e njerëzve duke i bërë thirrje presidentit Ivanov, që të ndjekë shembullin e saj.

Papa Françesku në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:16 0:00

Në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës Papa u prit nga motra kryesore e rendit të Nënë Terezës, ndërsa u lut para relikeve të shenjtores me origjinë shqiptare që ndodhen në këtë qendër memoriale.

Një shetitje të shkurtër me makinën e njohur si papamobil, e bëri nga qendra memoriale Nëna Terezë - tek sheshi kryesor i Shkupit, që ndodhet rreth dyqind - treqind metra larg ku dhe dha meshën e shenjtë para një mase prej mijëra njerëzish.

Ky vend i kulturës dhe identiteteve etnike e fetare ka rezultuar në bashkëjetesën paqësore dhe afatgjatë ku identitetet personale kanë hasur në shprehje dhe janë zhvilluar pa përjashtime, pa mbizotërime apo diskrimine kundrejt të tjerëve”, - theksoi papa Françesku. “Këto marrëdhënie - siç shtoi më tej Ati i shenjtë, - mund të shërbejnë si shembull dhe pikënisje për një jetë të paqtë vëllazërore të përshkuar nga diversiteti dhe respekti i ndërsjellë.Ai nënvizoi se këto karakterstika të veçanta janë shumë të rëndësishme për integrimin e shtuar me kombet e Evropës. Papa theksoi shpresat se ky integrim do të zhvillohet në atë mënyrë që të jetë në dobi të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, me respektin e vërtetë për të drejtat themelore.

“Identitetet e ndryshme si ortodokse, katolike, e të tjera krishtere, muslimane dhe hebreje, si dhe dallimet etnike ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe personave me përkatësi të tjera kanë krijuar një mozaik në të cilin secila pjesë është thelbësore për unikalitetin dhe bukurinë në tërësi”, - tha papa Françesku.

Në meshën e shenjtë pati një prani të konsiderueshme të besimtarëve nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe vende të tjera rajonit dhe më të largëta.

Një grup shqiptarësh nga Shkodra dhe Velipoja kanë udhëtuar me autobusë për të mbërritur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Shkup për ta ndjekur meshën.

Është provuar se Zoti na do kështu siç jemi”, - thotë ky besimtar i ardhur me familje nga Sllovenia, i cili shton se papa vjen këtu për ta shpallur dashurinë e Zotit për gjithësecilin këtu.

Anton Sereçi, një përfaqësues i komunitetit të vogël të shqiptarëve katolik në Shkup, pati rast të përshëndetej me Papa Françëskun brenda shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës.

“Papa Françeskun për herë të parë e takoj, por në jetën time kam pasur mundësi që të takohem me Papa Gjon Palin II, Papa Benediktin VI...”, thotë Z. Sereçi.

Papa vjen nga Bullgaria, një vend me shumicë ortdokse në Maqedoninë e Veriut, ku poashtu shumica e popullatës është ortodokse sllave dhe pjesa tjetër, mbase më tepër se një e treta i përket fesë islame.

Papa Françesku bëri një vizitë dhjetëorëshe në vendlindjen e Nënë Terezës. Në kishën e vetme katolike ai u takua me priftërinjtë, familjarët e tyre dhe një grup të rinjësh.

Komuniteti katolik në Maqedoninë e Veriut është tepër i vogël, ndonëse nuk ka shifra zyrtare për këtë. Në mesin e tyre është edhe komunitei i shqiptarëve katolik të cilët meshat i dëgjojnë në gjuhën maqedonase dhe kroate në Kishën Zemra e Shenjtë e Krishtit këtu në Shkup. Por, ata jetojnë me shrepsë së në muajin qershor do të vijë një prift nga Kosova për shërbesat dhe meshat në kishën katolike e Shkupit.

Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, shpresojnë se Papa Françesku do të inkurajojë integrimin e vendit në institucione evropiane pas zgjidhjes së konfliktit shumëvjeçar me Greqinë për emrin e Maqedonisë dhe zgjedhjes së presidentit pro evropian.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005, por ende është në pritje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ajo shpreson të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s deri në fund të këtij viti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG