Disa orë pasi një protestë përgjithësisht paqësore filloi të shtunën në qytetin Portland, në shtetin veriperëndimor amerikan Oregon, policia e shpalli demonstratën një trazirë.
Forcat speciale përdorën gaz lotsjellës dhe shashka për të shpërndarë turmën. Sipas "Oregonlive.com", "Shumica e oficerëve duket se ishin të policisë së Portlandit, megjithëse disa kishin veshur uniforma gri. Ishte e paqartë se cilën agjenci përfaqësojnë".
Oficerët mund të shiheshin, në videot e postuara në Twitter, duke u përplasur me demonstruesit dhe duke i urdhëruar ata rreth mesnatës t'u largohen rrugëve dhe të kalojnë në trotuare.
Kanali KGW-TV shkruajti në faqen e tij të internetit se "gazetarët në vendin e ngjarjes gjithashtu pikasën" policinë "duke shpuar gomat e automjeteve që mbështesin" protestuesit.
Tubimi filloi në Parkun Laurelhurst në Portlandin juglindor. Protestuesit iu drejtuan ndërtesës "Penumbra Kelly", një ndërtesë brenda së cilës gjenden edhe zyrat e agjensive lokale të zbatimit të ligjit. Raportet thonë se demonstrata u shpall një trazirë pasi disa protestues u zhvendosën brenda perimetrit të ndërtesës "Penumbra Kelly" megjithë paralajmërimet nga policia për të mos e bërë këtë veprim.
Qyteti Portland ka përjetuar 80 ditë me radhë demonstratash kundër racizmit në sistem dhe ushtrimit të tepruar të dhunës së policisë, pas vdekjes së George Floyd-it në Minneapolis, në fillim të këtij viti.
George Floyd, i cili ishte afrikano-amerikan, vdiq pasi një oficer policie i bardhë i vendosi gjurin në qafë për gati nëntë minuta, ndërsa zoti Floyd thërriste se nuk mund të merrte frymë.
Më herët gjatë së shtunës në Portland, një grup i krahut të djathtë zhvilloi një tubim në mbështetje të policisë. Aty u shfaqën edhe kundër-demonstrues dhe pati përplasje të shkurtra mes dy grupeve.
Pati raportime për të shtëna me armë nga një makinë që dilte nga një garazh, por nuk u raportuan lëndime.
Facebook Forum