Në Pragë, mijëra qytetarë morën pjesë në një procesion për të nderuar ish presidentin çek Vaclav Havel, i cili vdiq të dielën në moshën 75 vjeçare. Funerali i tij do të zhvillohet të premten, me pjesmarrjen e shumë personaliteteve botërore.
Procesioni me arkivolin ku ndodhej trupi i zotit Havel nisi nga një kishë e dikurshme e kthyer nga zoti Havel në qendër kulturore dhe përfundoi në Kështjellën e Pragës, ku ndodhet selia e presidencës. Trupi do të qendrojë aty deri të premten kur do të zhvillohet funerali shtetëror.
Shumë nga njerëzit e rreshtuar në rrugë e përshëndetën me duartrokitje makinën që mbante arkivolin.
"Ai ishte autoriteti moral pas revolucionit; sa keq që iku kaq herët." thotë 35-vjeçari Jakub Sevcik.
Flamujt në institucionet shtetërore në të gjithë vendin janë ulur në gjysmë-shtizë ndërsa qeveria ka shpallur tri ditë zie kombëtare, duke filluar nga sot.
Në procesion ishin edhe rivali i vjetër politik i zotit Havel, Vaclav Klaus dhe udhëheqës të tjerë të vendit, ndërsa mijëra njerëz kishin mbushur sheshin përpara kështjellës.
Presidentët e Francës dhe Gjermanisë si dhe personalitete nga shumë vende të tjera pritet të marrin pjesë në funeralin e së premtes që do të zhvillohet në Katedralen më të madhe dhe më të njohur të vendit, Shën Vitus.