Lidhje

Tiranë: Prokuroria heton KQZ-në për dekriminalizimin


Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet penale ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse ka vërejtur që në disa raste KQZ nuk ka zbatuar ligjin e dekriminalizimit.

Prokuroria bëri të ditur se një deputeti të parlamentit duhet t'i ndërpritet mandati, ndërsa për një tjetër nuk u gjetën të dhëna për këtë ndalim.

Sipas sektorit të “dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, deputetit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati, sepse nuk ka deklaruar për një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Kurbinit, për falsifikim të dokumenteve dhe që ka precedentë penalë në Itali për vjedhje pasurish, falsifikime, identitet të rremë në vitet 1996-1997 në Milano, si u konfirmua nga autoritetet italiane.

Ndërsa deputeti Flamur Noka nuk mund të ndalohet ligji i dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme verifikoi mbi një masë ndaj tij në vitin 1991, dhe autoritetet serbe konfirmuan që deputeti Noka, “nuk gjendet në evidencat e ministrisë së tyre të punëve të brendshme, dhe nuk ka dënime ndaj tij.

Prokuroria e përgjithshme vërejti shumë probleme te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në administrimin e dokumentacionit dhe në bashkëpunimin me hetuesit. K.Q.Z. ka pranuar dorëzim formularësh përtej afateve ligjore për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie.

Verifikimi i deputetit Armando Prenga u bë me nismën e prokurorit të përgjithshëm, thekson zëdhënësi i saj, por KQZ deklaroi se Prenga nuk kishte deklaruar ndonjë vendim gjyqësor të formës së prerë, por në fakt KQZ e kishte këtë dokument qysh në maj të vitit të kaluar.

Edhe pse e kishte këtë dokument prej afro 10 muajsh, KQZ nuk bëri kallëzim penal ndaj deputetit Prenga.

Madje deri dy ditë më parë kur Prokuroria e përgjithshme kërkoi verifikim të thelluar ndaj deputetit Prenga, KQZ nuk specifikoi, që deputeti i ishte përgjigjur me “jo” pyetjes nëse ndaj tij kishte një vendim penal të formës së prerë.

Gjithë këto shkelje dhe mungesë bashkëpunimi prokuroria vendosi të nisë hetimet edhe ndaj vetë KQZ-së, e cila është një institucionet, që po zbaton ligjin e dekriminalizimit.

Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe vettingut është një nga sfidat kryesore të institucioneve shqiptare jo vetëm ndaj administratës, gjykatës dhe parlamentit ekzistues, por edhe ndaj kandidatëve për deputetë, që do të paraqiten në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit.

XS
SM
MD
LG