Lidhje

Presidenti Nishani, optimist për zgjedhjet dhe hapjen e negociatave me BE-në


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi se sulmi barbar ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, ku humbën jetën gazetarë, policë dhe qytetarë të pafajshëm, u dënua me forcë nga të gjithë autoritetet dhe populli shqiptar, duke dhënë mesazhe solidariteti dhe bashkimi.

Në një pritje me trupin diplomatik në Tiranë gjatë mbrëmjes, Presidenti Nishani tha se Shqipëria dënoi aktet ekstremiste e terroriste, që goditën Parisin, sepse mbështet lirinë e shprehjes dhe të besimit, bashkëjetesën, mirëkuptimi, respekti dhe pranimin e njëri-tjetrit.

Zoti Nishani tha se bashkëpunimi për të identifikuar dhe luftuar më mirë rrezikun e terrorizmit mund ta parandalojë atë më shpejt dhe me sukses. “Shqipëria u rreshtua në krah të Aleatëve, njëkohësisht partnerët e saj strategjikë, SHBA dhe BE, në përballjen me terrorizmin, radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar” - theksoi zoti Nishani.

Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në rajon, sipas tij, prodhon më shumë siguri e qëndrueshmëri për Ballkanin perëndimor e Europën. “Shqipëria e meritoi statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, ndaj integrimi evropian mbetet e vetmja alternativë e saj. Vendosja e shtetit ligjor dhe maturimi i politikës sipas standardeve europiane janë sfidat aktuale të vendit para se të hapen negociatat e anëtarësimit” - theksoi zoti Nishani.

Presidenti shqiptar shtoi se ky vit pritet të shënojë një kulturë politike bashkëpunuese e konsensuale në reformimin e drejtësisë, ekonomisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në forcimin e institucioneve demokratike janë në qendër të interesit publik dhe qytetarëve tanë. Ai shprehu besimin se në zgjedhjet vendore institucionet dhe qytetarët do të arrijnë standarde më të mira të demokracisë dhe lirisë.

XS
SM
MD
LG