Lidhje

Takim rajonal i presidentëve të Ballkanit


Vendet e Ballkanit mendojnë të koordinojnë investimet infrastrukturore, në mënyrë që ato të bëhen sa më shumë të frytshme për të gjitha palët.

Takimi i pestë rajonal i presidentëve në Durrës u përmbyll me ambicjen e përbashkët të katër udhëheqësve shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që vendet e Ballkanit të koordinojnë investimet infrastrukturore, në mënyrë që ato të bëhen sa më shumë të frytshme për të gjitha palët. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha që "derisa ekziston dialogu, fqinjësia e mirë, bashkëpunimi rajonal dhe rrugëtimi i përbashkët drejt Bashkimit Europian, atëherë duhet të kryhet edhe një bashkërendim më i mirë i projekteve në bujqësi, energjitikë, turizëm etj.".



Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, tha se Ballkani ka nevojë për shumë lidhje brenda vetes dhe se korridori tetë merr rëndësi të veçantë në planet e përbashkëta për integrim në BE, ndërkohë që disa shtete ballkanike nuk kanë dalje në det për të zhvilluar transportet. Ai tha se rajoni ka nevojë për një infrastrukturë të re. Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Serbia duhet të përfshihen në këto projekte të përbashkëta sepse rrugët kalojnë edhe përmes tyre.

"Sa i takon palës maqedone, - tha presidenti Ivanov, - ne kemi sjellë me këmbëngulje Korridorin tetë deri në Gostivar dhe dhe sa më shpejt do të shkojë deri në qafë thanë me ndërtime dhe koncensione të ndryshme". Ai theksoi se Kroacia, Shqipëria, Kosova po i ndërtojnë autostradat brenda vetes, por ato do të marrin vlerë të madhe rajonale dhe kontinentale kur të bashkohen me njëra tjetrën, që njerëzit dhe mallrat të kalojnë lirisht. Shekulli 20 i mbylli fqinjët ballkanikë, por rajoni duhet të rihapet, dhe qendra të mëdha historike si Durrësi, Ohri, Shkupi etj. Duhet të rimarrin rolin e mirënjohur që u takon si udhëkryqe të zhvillimit ekonomik të Ballkanit.

Ndërsa presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç theksoi rëndësinë që ka për të gjithë rajonin projekti TAP i gazsjellësit dhe austrada adriatiko joniane. Takimi i presidentëve të rajonit mbahet vitin tjetër në Kosovë dhe Presidentja Atifete Jahjaga i ftoi të gjithë udhëheqësit e këtyre vendeve, së bashku me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, që sot munguan.

XS
SM
MD
LG