Lidhje

Presidenti Barak Obama feston 50 vjetorin


Presidenti Barak Obama feston 50 vjetorin
Presidenti Barak Obama feston 50 vjetorin

Presidenti Barak Obama mbushi sot 50 vjet. Ai e ka festuar këtë përvjetor me dy ditë aktiviteti. Festimet filluan që dje në qytetin e presidentit, Çikago:

Pas një beteje të gjatë politike për buxhetin, Presidenti Obama u kthye në qytetin e tij, Çikago dhe filloi festimet për ditëlindjen me 2400 miq e dashamirës.

“Dua para së gjithash t’ju them se nuk ka dhuratë më të mirë për ditëlindjen se ta kaloj këtë natë me ju”.

Mbrëmja festive e organizuar në një sallon në Çikago, shërbeu edhe si grumbullim fondesh për fushatën e Presidentit Obama për zgjedhjet e 2012. Bileta më e shtrenjtë kushtoi afro 36 mijë dollarë.

Ndër aktivitetet e organizuara, të ftuarit ndoqën edhe interpretime nga artistë të njohur, përfshirë Xhenifer Hadson:

Festimet vazhdojnë sot me një pritje pa shumë bujë në Shtëpinë e Bardhë. Disa qindra miq e bashkëpunëtorë pritet të marrin pjesë me ftesë të presidentit:

Urimet e para për ditëlindjen, Presidenti Obama i mori nga Presidenti rus Dmitri Medvedev, i cili i telefonoi dje:

Ndërsa përshëndetja më e veçantë u shënua në distriktin financiar të Nju Jorkut, në Wall Street:

Atje, një grup i vogël i njohur si Amerikanët për Drejtësi, i cili kërkon reforma në sistemin financiar, i dërgoi përshëndetjet e rastit presidentit.

Zoti Obama është i treti president që mbush 50 vjeç gjatë administratës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

Teodor Rusvelt mbushi 50 vjeç në vitin 1908… ndërsa Bill Klinton në vitin 1996.

Presidenti Obama ka ruajtur një sens humori, ndërsa i afrohej të 50-tave. Gjatë një përpjekjeje për marrëveshje mbi shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, presidenti bëri shaka se tani që po rritet në moshë, ka filluar t’u kushtojë më shumë vëmendje programeve sociale për pensionistët.

“Këtë javë mbush 50 vjeç. Kam filluar ta mendoj më shumë momentin kur do të kem mundësi të shfrytëzoj programin e kujdesit për të moshuarit. Së shpejti do të filloj të përfitoj edhe unë nga skontot për të moshuarit”.

Antarësimi në Shoqatën Amerikane të Pensionistëve është pak a shumë një rit i të gjithë amerikanëve që mbushin 50 vjeç.

Gjatë një interviste për stacionin radiofonik NPR, Presidenti tha se nuk e shqetëson fakti që po mbush 50 vjeç. Por ai pohoi se gjatë 2 vjet e gjysmë në detyrë, flokët i janë zbardhur goxha.

Mjafton ta krahasosh zotin Obama me ditën kur bëri betimin si president në janar 2009 dhe e sheh qartë se detyra i ka dhënë moshë, si shumë presidentëve të tjerë.

Por në një intervistë, zoti Obama tha se e shoqja, Mishela, ende e konsideron simpatik.

XS
SM
MD
LG