Presidenti amerikan Joe Biden bëri të hënën dozën përforcuese të vaksinës ndaj COVID-19ës, disa ditë pasi administrata e tij miratoi dozën e tretë të vaksinës së kompanisë Pfizer për disa segmente të caktuara të popullsisë.
Përpara se të merrte dozën e tretë, Presidenti Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “dozat përforcuese janë të rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të mundësojmë që më shumë njerëz të vaksinohen” me dozat fillestare.
Ai tha se 77% e popullsisë amerikane në moshë madhore ka marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit.
"Një e katërta e vendit nuk mund të rrijë e pavaksinuar", tha ai, pasi u vaksinua përpara kamerave.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) miratuan dozat përforcuese javën e kaluar për tre kategori amerikanësh: personat e moshës 65 vjeç e lart; punonjësit e vijës së parë, si mësuesit, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të punës; si dhe personat e moshës 50 deri 64 vjeç me sëmundje të caktuara.
Doza përforcuese është e disponueshme për personat që morën vaksinën Pfizer-BioNTech të paktën gjashtë muaj më parë. Shtëpia e Bardhë tha të premten se 20 milionë amerikanë kanë të drejtën të marrin dozën përforcuese menjëherë, ndërsa 60 milionë persona që kanë marrë vaksinat Pfizer, do ta kenë të drejtë për doza përforcuese sapo të arrijnë kufirin gjashtëmujor.
Presidenti Biden, 78 vjeç, mori dozën e parë të vaksinës Pfizer në dhjetor dhe dozën e dytë në janar, përpara se të bënte betimin për detyrën.
Udhëheqësi republikan në Senat, Mitch McConnell, 79 vjeç, tha se edhe ai mori një dozë përforcuese të hënën dhe inkurajoi amerikanët të vaksinoheshin kundër COVID-19ës.
"Unë jam një ndër të mbijetuarit e poliomielitit në fëmijëri, në periudhën përpara se vaksinat ta çrrënjosnin këtë sëmundje në vendin tonë dhe në të gjithë botën. Pra, unë kam qenë një kampion i përjetshëm i vaksinimeve", tha ai në sallën plenare të Senatit.
Presidenti Biden njoftoi në gusht se ai donte t’i shihte të gjithë amerikanët të merrnin dozat përforcuese, ndërsa vendi po përjetonte një valë të rasteve të reja të koronavirusit nga varianti shumë ngjitës delta.
Megjithatë, plani i tij u pezullua në fillim të këtij muaji, kur një panel këshillimor për Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave hodhi poshtë përdorimin e gjerë të dozave përforcuese, duke përmendur mungesën e të dhënave për sigurinë dhe vlerën e tyre. Paneli i pavarur miratoi dozat shtesë për personat 65 vjeç e lart, ose në rrezik të lartë nga sëmundja e rëndë.
CDC-ja rekomandoi që një tjetër kategori amerikanësh të merrte dozën përforcuese: personat që për shkak të punës janë në një rrezik të lartë ekspozimi ndaj COVID-19ës. Ky rekomandim nga zyrtarët e agjencisë javën e kaluar tejkaloi panelin e ekspertëve të shëndetësisë të vetë CDC-së, duke shkaktuar debat të mëtejshëm se kush duhet të marrë dozën përforcuese.
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu është marrë me këtë çështje, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që të ndërpresin fillimin e dozave përforcuese, për të rritur furnizimet për shpërndarjen globale të vaksinave.
Kur u pyet të hënën në lidhje me qëndrimin e OBSH-së, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara "po bëjnë më shumë se të gjitha vendet e tjera të marra së bashku" për t’u dhënë vaksina vendeve në mbarë botën.
Presidenti Biden njoftoi javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po blinin 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer për t’ia dhuruar vendeve të tjera, duke arritur një total prej 1 miliardë dozash gjatë vitit të ardhshëm.
FDA-ja nuk e ka marrë ende në shqyrtim përdorimin e dozave përforcuesve nga kompanitë farmaceutike Moderna ose Johnson & Johnson.
Institucioni që mbikqyr barnat për Bashkimin Evropian tha javën e kaluar se ka në plan të vendosë në fillim të tetorit nëse do të miratojë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer-BioNTech për personat mbi 16 vjeç.
Facebook Forum