Lidhje

Presidenti Biden: duhet vepruar me urgjencë për asistencën financiare


Presidenti Biden bisedon me gazetarët në oborrin e Shtëpisë së Bardhë (29 janar 2021)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha të premten se Kongresi duhet të marrë masa të menjëhershme për propozimin e tij të ndihmës financiare prej 1.9 trilionë dollarësh për koronavirusin, duke shtuar se shumica e ekspertëve besojnë se stimujt shtesë ekonomikë janë të domosdoshëm.

"Ne duhet të veprojmë tani", u tha zoti Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. "Ekziston një konsensus i madh midis ekonomistëve se ky është një moment i veçantë dhe se kostoja e mosveprimit do të ishte e lartë", tha ai.

Presidenti tha më vonë se ai e mbështeste miratimin e paketës së ndihmës në Kongres me ose pa ndihmën e republikanëve.

"Unë jam për miratimin e ndihmës për COVID-in me mbështetjen e republikanëve, nëse mund ta kemi atë. Por ndihma për COVID-in duhet të kalojë në Kongres pa asnjë lloj justifikimi", tha presidenti.

Zoti Biden i bëri komentet ndërsa demokratët që kontrollojnë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve po përgatiten të ndërmarrin javën e ardhshme hapat e para drejt shpërndarjes së ndihmës së re financiare për amerikanët dhe bizneset që po vuajnë pasojat e pandemisë, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 433'000 njerëzve.

Vitin e kaluar Kongresi miratoi 4 trilion dollarë ndihmë për COVID-19n.

Të enjten, udhëheqësi i shumicës së Senatit Chuck Schumer tha se javën e ardhshme do të fillojë puna për legjislacionin përkatës, megjithë dyshimet që kanë shfaqur republikanët dhe disa demokratë lidhur me përmasat e propozimit të zotit Biden.

Senati prej 100 vendesh është i ndarë ndarë 50-50 dhe është Nënpresidentja Kamala Harris që me votën e saj mund të thyejë barazimin nëse nuk gjendet zgjidhje. Në këto kushte, demokratët po përgatiten të përdorin një mekanizëm parlamentar, që do të lejonte Senatin ta miratonte ndihmën financiare me një shumicë të thjeshtë. Rregullat e Senatit zakonisht kërkojnë 60 vota për miratimin e ligjeve. Mjeti në fjalë quhet “reconciliation” (pajtim, rakordim) dhe përdoret në raste të veçanta.

"Nuk ka kohë për vonesa", tha Presidenti Biden të premten. "Sepse mund të përfundojmë me 4 milion vende pune më pak këtë vit ... Mund të na duhet një vit më shumë për t'u kthyer në punësimin e plotë nëse nuk veprojmë dhe nuk veprojmë tani", tha ai.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi parashikoi të enjten se të dyja dhomat e Kongresit do të mund ta miratonin paketën deri në fund të javës së ardhshme me anë të “rakordimit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG