Lidhje

Presidenti Biden thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të fortë klimatik


Sekretari i Shtetit Antony Blinken dëgjon ndërsa Presidenti Joe Biden mban fjalën e tij gjatë Forumit për Energjinë dhe Klimën në auditorin e Shtëpisë së Bardhë (17 shtator 2021)
Sekretari i Shtetit Antony Blinken dëgjon ndërsa Presidenti Joe Biden mban fjalën e tij gjatë Forumit për Energjinë dhe Klimën në auditorin e Shtëpisë së Bardhë (17 shtator 2021)

UASHINGTON - Presidenti amerikan Joe Biden mblodhi në një takim virtual gjashtë krerë shtetesh dhe tre udhëheqës të organizatave shumëpalëshe të premten për të paraqitur pozicionin e tij: se veprimi më i fortë klimatik nuk është vetëm urgjent - është edhe i dobishëm për ekonominë globale.

Udhëheqësit u takuan gjashtë javë përpara Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, një ngjarje që synon të përcaktojë përpjekjet e ardhshme globale për klimën.

"Unë doja të tregoja se jemi në një pikë kthese dhe se ekziston një konsensus i vërtetë, një konsensus i vërtetë, se ndërsa kriza klimatike paraqet një kërcënim ekzistencial, ekziston edhe një shpresë", u tha Presidenti Biden udhëheqësve të Argjentinës, Bangladeshit, Indonezisë, Koresë së Jugut, Meksikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët morën pjesë në takim virtualisht.

"Kriza klimatike gjithashtu paraqet mundësi reale dhe të jashtëzakonshme ekonomike për të krijuar vende pune dhe për të rritur standardin e jetesës për njerëzit në të gjithë botën", tha ai.

Një nga veprimet e para të Presidentit Biden në detyrë ishte rikthimi i Shteteve të Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, pasi paraardhësi i tij u tërhoq duke thënë se ishte një "marrëveshje e keqe" për vendin.

Traktati ligjërisht i detyrueshëm ndërkombëtar synon të kufizojë rritjen e temperaturës globale me 1.5 gradë në krahasim me nivelet paraindustriale. Për kombet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe Kina - dy emetuesit më të mëdhenj - kjo do të kërkonte një reduktim të konsiderueshëm të emetimeve globale të gazrave serë.

Për SHBA-në, kjo do të kërkonte reduktimin e emetimeve me 50-52% nën nivelet e vitit 2005 deri në vitin 2030, një lëvizje që mund të kërkojë një zhvendosje të dukshme nga burimet tradicionale të energjisë si qymyri, drejt burimeve më të gjelbra, si energjia diellore dhe era.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres i bëri jehonë ndjesisë së urgjencës së Presidentit Biden të premten.

"Bota është në një drejtim katastrofik me deri në 2.7 gradë ngrohje", tha ai në një deklaratë, duke cituar një raport të lëshuar të premten nga Konventa Kuadër e OKB -së për Ndryshimet Klimatike. "Kjo është thyerja e premtimit të bërë gjashtë vjet më parë për të ndjekur objektivin 1.5 gradë Celsius të Marrëveshjes së Parisit. Dështimi në arritjen e këtij qëllimi do të matet me humbjen masive të jetëve dhe mjeteve të jetesës".

Antonio Guterres
Antonio Guterres

Shefi i OKB-së e ngarkoi drejtpërdrejt me përgjegjësi botën e zhvilluar, duke vënë në dukje se 80% e emetimeve globale shkaktohen nga 20 kombet më të pasura në botë. Ai u bëri thirrje të gjitha kombeve të vendosin objektiva më ambiciozë për nivelin e emetimeve, dhe që vendet e zhvilluara të përmbushin angazhimin e tyre prej 100 miliardë dollarësh për të ndihmuar kombet në zhvillim të përballen me ndryshimet klimatike.

Por, ishte e dukshme mungesa në këtë takim e përfaqësuesve të ndotësit më të madh në botë: Kinës.

Nikos Tsafos, një analist që punon për energjinë dhe gjeopolitikën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se ka shumë për t'u parë midis rreshtave në marrëdhëniet SHBA-Kinë kur bëhet fjalë për diskutimet për ndryshimin e klimës.

"Marrëdhënia dypalëshe është më komplekse dhe kundërshtuese sesa ishte gjatë negocimit të Marrëveshjes së Parisit në 2015, duke e bërë të vështirë ndarjen e klimës nga mosmarrëveshjet e shumta midis dy vendeve", shkruajti ai në një artikull. "Kina gjithashtu është përpjekur ta cilësojë veten si një udhëheqëse për klimën dhe është më pak e gatshme të bëjë gjithçka që mund të shihet si përkulje ndaj presionit të SHBA-së".

Por, vuri në dukje ai, perspektiva e Kinës gjithashtu ka ndryshuar. Ata gjithashtu tani shohin mundësinë për të investuar. Për vite me radhë, tha ai, firmat kineze kanë qenë aktorë kryesorë në industritë e erës dhe energjisë diellore dhe vendi është një treg më i madh për automjetet elektrike sesa Shtetet e Bashkuara.

"Nuk ka më nevojë për ta bindur Kinën që të mbështetet në tranzicionin e energjisë", tha ai.

197 palët në Marrëveshjen e Parisit - të cilat përfshijnë vende individuale dhe grupime ndërkombëtare - do të takohen në nëntor, në Glasgow, të Skocisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG