Lidhje

Presidenti gjerman dënon përpjekjen për të sulmuar Rajhshtagun


German President Frank-Walter Steinmeier

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dënoi të dielën një përpjekje të protestuesve për të sulmuar Rajhshtagun, ndërtesën e parlamentit, duke e quajtur "një sulm të papranueshëm në zemrën e demokracisë sonë."

"Ne nuk do ta pranojmë kurrë këtë", tha Presidenti Steinmeier në një mesazh në Instagram.

Incidenti ndodhi të shtunën mbrëma pasi rreth 38,000 protestues u mblodhën në Berlin gjatë ditës për të protestuar kundër masave kufizuese të koronavirusit.

Pas rreth dy orësh, policia shpërndau protestuesit, duke përmendur mosrespektimin e rregullave të distancës sociale.

Policia heq demonstruesit nga sheshi përballë Rajhshtagut
Policia heq demonstruesit nga sheshi përballë Rajhshtagut

Presidenti gjerman i quajti protestuesit një "turmë ekstremiste të djathtë", ndërsa vlerësoi forcat e sigurisë që "vepruan jashtëzakonisht me kujdes në një situatë të vështirë".

"Ndërtesa e Rajhshtagut është vendi i Parlamentit tonë dhe pra qendra simbolike e demokracisë sonë," tha ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer për gazetën Bild am Sonntag.

"Fakti që mbjellësit e kaosit dhe ekstremistët po abuzojnë me të për qëllimet e tyre është i papranueshëm," shtoi Seehofer.

PROTESTA E BERLINIT

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin gjerman për të kundërshtuar masat për parandalimin e koronavirusit.

Protestuesit u shprehën kundër vaksinimit, maskave dhe qeverisë gjermane në përgjithësi.

Disa prej tyre valvisnin flamurë amerikanë, rusë apo nazistë, ndërsa të tjerë kishin veshur bluza të lëvizjes "QAnon". (Termi i referohet një teorie konspiracioni sipas së cilës brenda sistemit politik amerikan ka një komplot nga një qeveri e fshehur brenda qeverisë së zgjedhur në mënyrë legjitime).

Disa kishin shkruar mbi bluza parulla nacionaliste me shenja neo-naziste, por pjesa më e madhe e pjesëmarrësve mohuan të kishin pikëpamje të ekstremit të djathtë. Uwe Bachmann, 57 vjeç, tha se kishte ardhur nga jugperëndimi i Gjermanisë për të protestuar për fjalën e lirë dhe të drejtën e tij për të mos vendosur maskë.

"I respektoj ata që kanë frikë nga virusi", tha zoti Bachmann, i cili shtoi por pa dhënë shumë detaje se "diçka tjetër" fshihej pas pandemisë.

Një protestues tjetër tha se dëshironte që sistemi aktual politik i Gjermanisë të shfuqizohej dhe të rikthehej kushtetuta e vitit 1871 me arsyetimin se sistemi politik i pas luftës ishte i paligjshëm.

Duke dhënë vetëm emrin Karl-Heinz, ai tha se kishte udhëtuar me motrën e tij nga shtëpia e tyre pranë kufirit me Holandën për të marrë pjesë në protestë dhe se besonte se rastet e koronavirusit që raportoheshin aktualisht në Gjermani si "pozitive” ishin “të rreme".

Gjermania ka pësuar një rritje të shpejtë të rasteve të reja me koronavirus javët e fundit. Agjensia për Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi të shtunën se Gjermania kishte pothuajse 1.500 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit.

Gjermania është vlerësuar për mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë dhe numri i të vdekurve prej rreth 9.300 persona në vend është më pak se një e katërta e numrit të atyre që kanë vdekur nga COVID-19, në Britani.

Qeveria rajonale e Berlinit kishte kërkuar që protesta të pengohej, duke përmendur mitingjet kundër maskave në fillim të këtij muaji, kur rregullat për parandalimin e virusit nuk u respektuan. Organizatorët e protestës e apeluan me sukses vendimin të premten, por gjykata i urdhëroi ata të siguronin distancimin fizik.

Mos zbatimi i kësaj mase bëri që policia e Berlinit ta shpërndajë marshimin. Gjatë protestës kundër maskave u zhvilluan edhe kundër-protesta më të vogla, ku pjesëmarrësit hidhinin parulla kundër pranisë të së djathtës ekstreme në mitingjet kundër maskave.

Në Gjermani maskat duhet të vendoset në mjetet e transportit publik, dyqane dhe disa ndërtesa publike siç janë bibliotekat dhe shkollat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG