Lidhje

Presidenti Nishani: "Dekretoj shpejt qeverinë e re"


Presidenti Nishani tha se zgjedhjet ishin demokratike, se situata para e pas zgjedhjeve është nga më të mirat që vendi ka patur ndonjëherë.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi se është i gatshëm ta dekretojë pa vonesë qeverinë e koalicionit fitues të zgjedhjeve të qershorit, sapo propozimet të mbërrijnë në zyrën e tij nga parlamenti me shumicë të re. Zoti Nishani i bëri këto komente gjatë një interviste në mbrëmje për televizionin Klan, ku theksoi se nuk kishte arsye të humbte kohë me procedura formale, kur zhvillimet ishin të qarta për të gjithë.

Presidenti Nishani tha se zgjedhjet ishin të lira e demokratike, se situata para e pas zgjedhjeve është nga më të mirat që vendi ka patur ndonjëherë dhe se partitë në fushuatë u morrën me çështjet e ekonomisë dhe çështje të tjera që lidhen me jetën e qytetarëve. Ai tha se ndërrimi i partive në pushtet po ecën normalisht, dhe se sjellja e forcave politike pas daljes së rezultateve tregoi pjekurinë e tyre politike.

Zoti Nishani tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet dhe drejtuesit e rinj për mbarëvajtjen e punëve në dobi të qytetarëve, për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Parlamenti i ri mblidhet ditën e hënë për të verifikuar mandatet dhe për të zgjedhur kryetarin e vet dhe, sipas deklaratave të presidentit Nishani, kryeministri i ri mund të dekretohet qysh të nesërmen, sapo të propozohet zyrtarisht nga ligjvënësit.

Partia Socialiste ka shprehur shqetësim lidhur me vendimet e rëndësishme ekonomike që ka marrë qeveria e kryeministrit Berisha pas njoftimit se nga zgjedhjet ka dalë një shumicë të re politike. Disa përfaqësues të saj janë shprehur se shumë nga vendimet e këtyre dy muave të fundit do të rishikohen. Qeveritarët e rinj kanë bërë të ditur se në dy mbledhje me kryetarin Edi Rama kanë bërë gati edhe projektet për punët e 100 ditëve të para dhe 300 ditëve të para, dhe se nuk ka më kohë për të humbur në trajtimin e vështirësive ekonomike që kalon vendi.

XS
SM
MD
LG