Presidenti amerikan Barak Obama po bën fushatë sot për dy senatorë demokratë me peshë, që ndodhen në një garë të vështirë me kundërshtarët republikanë për zgjedhjet e 2 nëntorit. Zoti Obama do të marrë pjesë në një miting për senatoren e Kalifornisë Barbara Boxer në Los Angelos para se të shkojë në Las Vegas për një fushatë për udhëheqësin e shumicës në Senat, Harry Reid.
Anketat tregojnë se senatorja Boxer kryeson me një diferencë të ngushtë ndaj rivales republikane Carli Fiorinas, ish drejtuesja kzekutive e kompanisë Hewlett-Packard, ndërsa senatori Reid është në garë të ngushtë me ish ligjvënësen Sharron Angle, e cila ka mbështetje të fuqishme nga lëvizja Tea Party. Presidenti është në një fushatë katër ditore në pesë shtete që synon përmbysjen e një vale fitoresh të republikanëve që mund t’u kushtojë demokratëve kontrollin e kongresit.