Lidhje

Presidenti Obama i bën thirrje Kongresit të miratojë projekt-ligjet për ekonominë


Presidenti Barack Obama po shton trysninë mbi Kongresin për miratimin e një legjislacioni që ai e ka propozuar në fillim të këtij viti për të cilin ai thotë se do të nxisi rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë vit zgjedhjesh kur ekonomia është bërë çështje madhore, Presidenti Obama po i bën thirrje ligjvënësve ta ndihmojnë atë në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Gjatë muajve të fundit ne kemi krijuar qindra mijëra vende pune çdo muaj. Pra, ne jemi duke bërë përparim, por të gjithë e dinë se ne duhet të bëjmë më shumë. Prandaj, ne kemi nevojë që Kongresi të veprojë. Demokratët dhe republikanët duhet të punojnë së bashku”.

Dje Presidenti vizitoi qytetin Albany në Nju Jork për të shtuar trysninë mbi Kongresin për miratimin e projektligjeve për të cilat ai thotë se do të nxisin rritjen ekonomike. Shumica e projektligjeve janë përmendur edhe në fjalimin e presidentit drejtuar dy dhomave të kongresit në muajin janar.

“Unë e di që ky është një vit zgjedhjesh, por kjo nuk duhet të jetë një justifikim për mosveprim. Gjashtë muaj janë kohë e mjaftueshme që demokratët dhe republikanët të punojnë së bashku dhe të bëjnë atë që duhet - duke marrë hapa që do të nxisin krijimin e më shumë vendeve të punës”.

Në një shkollë në Albany, zoti Obama njoftoi pesë masa të cilat Kongresi duhet t’i miratoj.

Një nga projektligjet të cilat presidenti dëshiron të miratohet do të eliminonte një dispozit të ligjit të taksave që u ofron kompanive shkurtime të taksave për shpenzimet që duhen për lëvizjen e fabrikave jashtë Shteteve të Bashkuara.

“Të paktën ne mund të ndalim shpërblimin e kompanive të cilat i eksportojnë vendet e punës jashtë shtetit dhe mund të përdorim parat për të mbuluar shpenzimet e kompanive të cilat i sjellin vendet e punës përsëri këtu në Amerikë”.

Republikanët në Kongres menjëherë e kritikuan fjalimin e presidentit. Një zëdhënës i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se zoti Obama duhet t’i bëj trysni Senatit që kontrollohet nga demokratët për të lejuar miratimin e projektligjeve të propozuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga Republikanët.

Ndërkohë, republikanët në Senat të martën bllokuan debatin mbi një projekt-ligj të demokratëve për të parandaluar dyfishimin normave të interesit për kreditë federale për studentët të cilat skadojnë më 1 korrik.

Republikanët thonë se edhe ata duan të parandalojnë rritjen e normave të interesit, por nuk janë dakord me planin e demokratëve për të paguar për normat më të ulëta duke ngritur disa taksa.

XS
SM
MD
LG