Lidhje

Kur Presidenti amerikan shkon me pushime


Presidenti Barak Obama dhe familja e tij u nisën dje për një pushim një javor në ishullin turistik Martha’s Vineyard në brigjet e oqeanit Altantik. Zoti Obama fillon pushimet nën barrën e përgjegjësive të presidencës dhe në një atmosferë kritikash të pashmangshme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney thotë se megjithëse Presidenti ka ikur me pushime, për të nuk ka pushim të mirëfilltë:

“Presidenti e priti me gëzim këtë javë pushimesh që të shpenzojë disa ditë me familjen, por fakti është se kudo që ndodhet, ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe çdo ditë do të shpenzojë orë të tëra duke u informuar për ngjarjet kryesore dhe duke punuar për sfidat që ka përpara”.

Megjithatë, shumë republikanë e kanë kritikuar Presidentin që shkoi me pushime në ishullin turistik Martha’s Vineyard. Kenneth Walsh, autor i historisë së pikave turistike presidenciale, thotë se gjithmonë ka pasur kritika të tilla.

“Kurdo që një president shkon me pushime, opozita gjithmonë hidhet në kritika për faktin se Presidenti po shkon me paratë e taksapaguesve”.

Autori thotë se ishulli Martha’s Vineyard njihet për vilat luksoze dhe për qytezat e shtrenjta që tërheqin klientelë të pasur, prandaj ky fakt mund të përbëjë problem për shumë amerikanë që ende vuajnë nën barrën e recesionit që kaloi vendi.

Disa kritikë thonë se në një periudhë paqartësish për ekonominë dhe buxhetin, si dhe kur ambasadave dhe konsullatave amerikane u kanoset kërcënimi terrorist, zoti Obama duhet të kishte qëndruar në Uashington.

Thomas Alan Schwartz, profesor historie në Universitetin Vanderbilt në Nashvill të shtetit Tenesi, thotë se presidentët shpenzojnë një pjesë të mirë të kohës gjatë pushimeve në mbledhje me stafin e tyre dhe duke punuar për të zgjidhur problemet e vendit.

“Faktikisht Presidenti Obama kurrë nuk është plotësisht me pushime. Çdo problem urgjent që të dalë, çdo sfidë imediate i sillet Presidentit nga ndihmësit e tij. Praktikisht ai e merr Shtëpinë e Bardhë me vete, kudo që ndodhet me pushime”.

Zoti Obama e ka pasur të vështirë të shkëputet nga përgjegjësitë e detyrës gjatë periudhës së pushimeve. Ai u detyrua të ndërpriste pushimet në Havai vjet në dhjetor, kur u kthye në Uashington për të përfunduar një marrëveshje me republikanët që të financohej qeveria federale.

Gjatë udhëtimit të Familjes së Parë në Havai në dhjetor 2009, u zbulua një komplot terrorist për të hedhur në erë një avion pasagjerësh. Po ashtu në gusht 2009, Presidenti u detyrua të kthehej nga pushimet në ishullin Martha’s Vineyard për të marrë pjesë në funeralin e Senatorit Ted Kennedy.

Edhe nëse Presidenti nuk detyrohet të ndërpresë pushimet, kur të kthehet në Uashington e presin plot kokëçarje, thotë Kenneth Walsh:

“Të gjitha palët në Uashington parashikojnë që në vjeshtë do të ketë përplasje të forta politike lidhur me tavanin e borxhit dhe buxhetin. Po ashtu mund të duhet të merren vendime për imigracionin. Por kryesorja do të jetë gjendja e ekonomisë”.

Autori Walsh dhe profesori Schwartz pohojnë se të gjithë presidentët kanë nevojë për një periudhë pushimesh. Ata shtojnë se Presidenti Obama ka shpenzuar shumë më pak ditë në pushime se pararendësit e tij.
XS
SM
MD
LG