Lidhje

Presidenti Obama së shpejti nis turin e tij evropian


Presidenti Obama së shpejti nis turin e tij evropian
Presidenti Obama së shpejti nis turin e tij evropian

Mbas një jave të përqëndruar në trazirat e Lindjes së Mesme, Presidenti Obama do të kthejë vëmendjen tek Europa dhe shqetësimet e saj, kryesisht në situatën e ekonomisë globale.

Presidenti do të nisë vizitën e tij nga Irlanda, ekonomia e së cilës, e quajtur dikur “tigri “ i Europës, tani është përfshirë nga kriza e borxhit.

Zoti Obama do të kombinojë punën me kënaqësinë në Irlandë, duke vizituar një fshat të vogël ku kanë jetuar disa prej paraardhësve të tij.

“Pres të shkoj jo vetëm në të gjitha vendet më të famshme, por do të shkoj dhe në Moneygall, andej nga janë rrënjët e katragjyshërve të mi”.

Rreth 37 milionë amerikanë deklarojnë prejardhjen e tyre nga Irlanda, dhe zoti Obama thotë se dy vendet ndajnë një lidhje familjare të ngushtë.

Më pas, presidenti do të kalojë dy ditë në Londër për një vizitë zyrtare.

Ai dhe zonja Obama do të qëndrojnë në Pallatin Bukingham, ku Mbretëresha Elizabeth do të shtrojë një banket shtetëror për nder të tyre.

Në Londër, zoti Obama do të flasë në të dyja dhomat e parlamentit britanik, dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Deivid Kamerun rreth ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve të tjera.

Stiven Klemons, i Fondacionit “ New America” në Uashington, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë një angazhim të madh përsa u përket ndryshimeve më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Sipas tij, këto angazhime janë:

“Ndryshimet fenomanale që po ndodhin e që duket se do të vazhdojnë për vite në Lindjen e Mesme, sfida e vazhdueshme për tërheqjen e trupave nga Afganistani, ndërhyrja e kombinuar e forcave të Natos dhe aleatëve në Libi”.

Por analistët thonë se qëllimi kryesor i takimeve në Londër do të jetë zbutja e pikave të ashpra në të ashtuquajturën “ marrëdhëne speciale” mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Mbas mosmarrëveshjeve, siç ishte fajësimi i Britanisë nga ana e administrtatës Obama për ndotjen e Gjirit të Meksikës nga shpërthimi i platformës së kompanisë BP në këtë zonë, Steven Klemons thotë se marrëdhënia speciale nuk është më aq e veçantë sa një herë e një kohë. Por ai thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

“Nuk e shoh konfliktin si problem, për aq kohë sa jepen shenjat e një marrëdhënieje të re, të natyrshme e të shëndetshme, e cila në të ardhmen mund të jetë më e frytshme”.

Presidenti do të shkojë në Normandi, Francë dhe qytetin turistik të Deauvillit, ku grupi i 8 vendeve më të industrializuara do të zhvillojë takimin e përvitshëm të nivelit të lartë.

Krerët e G8, do të mbulojnë një numër çështjesh, mes tyre çështje të shëndetit global, sigurisë së ushqimit dhe kontrollit të armëve.

Domeniko Lombardi, i Institutit “Brookings” në Uashington, thotë se zoti Obama e di se një ekonomi e shëndetshme e vendeve të G-8 do të ndikojë për mirë në rimëkëmbjen ekonomike të Amerikës.

“Por natyrisht, ende ka elementë delikatë, e në këtë mënyrë, është shumë e rëndësishme për ekonominë e Shteteve të Bashkuara që dhe ekonomitë e tjera të rënëdishme po ia dalin mbanë”.

Zoti Lombardi thotë se ai pret që presidenti Obama të nxisë partnerët europianë të Amerikës për politika më të rrepta fiskale, veçanërisht për vendet që janë në borxhe të thella si Greqia, Portugalia dhe Irlanda.

“Presidenti Obama do t’u kërkojë homologëve të tij europianë që të jenë më agresivë për t'iu përgjigjur si duhet krizës në Europë”.

Në të njëjtën kohë, presidenti shpreson që të sigurojë homologët e tij për fuqinë dhe rëndësinë e marrëdhënieve mes tyre.

Zoti Obama do të përmbyllë udhëtimin e tij me një vizitë të paralajmëruar prej kohësh në Poloni. Presidenti kishte planifikuar që të vizitonte Poloninë vitin e kaluar, për të marë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit Leh Kazinski dhe zyrtarëve të tjerë që u vranë si pasojë e përplasjees së avionit me të cilin udhëtonin. Por udhëtimi u anullua si pasojë e resë së madhe të tymit, të shkaktuar nga shpërthimi i një vullkani në Islandë.

Gjatë vizitës së tij në Poloni, zoti Obama dhe presidenti Bronislav Komorovski pritet që të nënshkruajnë një marrëveshje për të vendosur avionë luftarakë amerikanë F-16 në Poloni, propozim i cili ka zemëruar Rusinë.

XS
SM
MD
LG